Aktualitet

Shtyhet seanca edhe për Jamarbër Malltezin

Ndërsa seanca ishte parashikuar për në orën 10:00, ajo do të zhvillohet në orën 15:00.

f.t
Shtyhet seanca edhe për Jamarbër Malltezin
Jamarbër Malltezi

TIRANË- Apeli i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shtyrë seancën ndaj Jamarbër Malltezit. Ndërsa seanca ishte parashikuar për në orën 10:00, ajo do të zhvillohet në orën 15:00.

Malltezi kërkon në gjykatë shfuqizimin e vendimit për sekuestron e 25 pasurive të tij. Jamarber Malltezit i jane sekuestruar 25 pasuri, ndër to apartamente, një vilë, 6 llogari bankare dhe aksione në kompani. Gjithashtu Malltezi kërkon heqjen e ‘arrestit të shtëpisë’, ndërsa SPAK kërkon përjashtimin e Ilirjana Olldashit. Iliriana Olldashi zbuti masën e sigurisë për Malltezin, duke e nxjerrë nga burgu dhe duke caktuar masën arrest shtëpie. 

Njoftimi:

Duke iu përgjigjur interesit të lartë të medias dhe publikut, mbi zhvillimin e seancës gjyqësore të datës 24.11.2023, ora 10:00, mbi çështjen penale nr. 174 akti, datë 17.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit/personit nën hetim J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 446, datë 08.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, konstatimin e humbjes së fuqisë së masës shtrënguese “Arrest në burg” të caktuar sipas vendimit nr. 112, datë 20.10.2023”, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, informon se trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, urdhëroi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datë 24.11.2023, ora 15:00.

Për Malltezin SPAK pretendon se duhet të qëndrojë në burg, pasi nuk ka asnjë rrethanë për lehtësimin e masës ndaj tij. Gjyqtarja Olldashi ka blerë apartament në vitin 2015 në kompleksin në pronësi të Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashit. Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor, dhe pas afro një muaji tashmë do të vijojë betejën e tij ligjore nga masa e arrestit të shtëpisë. Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, në truallin e të cilit dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ka ndërtuar 17 pallate. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Malltezi ka përfituar nga Berisha, asokohe kryeministër që të merrte pronën e ish-familjarëve të tij, dhe për ta kthyer atë në një kompleks banimi. Sipas prokurorisë së Posaçme, Malltezi kishte fituar më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall. /Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB