Aktualitet

Shtyhet gjyqi për inceneratorin e Tiranës, seanca më 20 janar

Seanca e sotme u shty për shkak të mosnjoftimit të një prej të pandehurve që jeton jashtë vendit.

F.I
Shtyhet gjyqi për inceneratorin e Tiranës, seanca më 20 janar
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë për më 20 janar, në orën 13:30 seancën e shqyrtimit në themel të çështjes së inceneratorit të Tiranës. Bëhet me dije se seanca e sotme u shty për shkak të mosnjoftimit të një prej të pandehurve që jeton jashtë vendit.

Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK që prej verës së vitit 2023, pasi rezultoi se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto. Të dy këta të fundit, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit. 

Në dhjetor 2023, SPAK lëshoi 15 urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës, mes të cilëve zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Arrest në burg u caktua për Taulant Tushën, drejtor në Bashkinë e Tiranës. Në të njëjtën masë u vendos edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për 2 koncensionet e tjera të inceneratorëve, si dhe ish-Sekretari i kësaj ministrie, Alqi Bllako. Pjesa tjetër e personave që u akuzuan janë anëtarë të komisioneve përzgjedhëse të koncensionit.

Më 16 korrik 2024 Prokuroria e Posaçme ka reaguar zyrtarisht lidhur me hetimet për Inceneratorin e Tiranës. Në njoftim thuhej se ka nisur procedimi për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Sipas SPAK, grupi kriminal, pjesë e të cilit janë shqiptarë dhe të huaj, ka pastruar 20 milionë euro pasuri nga momenti i lidhjes së kontratës dhe në vazhdimësi. Më tej bëhet me dije se janë caktuar masat e sigurisë “arrest në burg” për Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi, Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Ilir Dedja dhe për 3 shtetas të huaj, Giusepe Ciaffaglione, Marc Lapat dhe Michael Druijts. Në krye të grupit kriminal, qëndrojnë shtetasit Klodian Zotaj dhe Mirel Mërtiri, ndaj të cilëve është proceduar më parë me caktim mase sigurimi “arrest në burg”./ZËRI 

Poll

MOS HUMB