
TIRANË- Shtyhet për datën 27 shkurt seanca për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Për 25 ditët e ardhshme, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kohë që të bëjë akt-ekspertimin për projektin “Promenadë Bregdetare” (shëtitorja), por edhe kërkohen që të pyeten disa dëshmitarë. GJKKO ktheu për hetim aktin e dytë penal pasi nuk konstatoi akt ekspertimi që do të përcaktonte dëmin e projektit.
Sipas SPAK, projekti “Promenadë Bregdetare” u hartua me një vlerë gati 10 herë më të madhe sesa llogaritej në vendimin fillestar, duke i shkaktuar shtetit dëm prej 18 milionë lekësh. Si pasojë, ndaj ish-kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në dy raste. Bëhet fjalë për një pallat në qendër të Durrësit, i cili fillimisht ka patur një leje për 8 kate, por që ka përfunduar me 3 kate të tjera shtesë.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u arrestua me urdhër të SPAK më datë 6 qershor 2023. Në pranga, përpos tij, u vunë edhe 8 ish-zurtarë në Bashkinë e Durrësit dhe një ndërtues. Ndaj Dakos rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës në dy raste. Njëra akuzë është për lejen e ndërtimit e dhënë përpara 11 vitesh dhe tjetra për një tender të vitit 2014-2015, për ndërtimin e një shëtitoreje në zonën bregdetare, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm 18 milionë lekë. Nga momenti i arrestimit, ndaj Dakos është lënë në fuqi masa e arrestit me burg./ZËRI