
TIRANË – Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u paraqit mëngjesin e kësaj të premteje në SPAK. Pasi ka qëndruar për 45 minuta në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Beqaj ka dalë nga SPAK dhe ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat. Ai tha se sot ishte e premte dhe është dita e paraqitjes. “Sot ishte e premte, që është dita e paraqitjes. Mora dhe hard drive me të dhënat e laptopit, që u sekuestruan në apartamentin tim më 28 dhjetor 2023. Ditë të mbarë”, tha Beqaj.
Ndaj tij, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, në nëntor 2023, gjykata ka caktuar masën e detyrimit të paraqitjes, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. SPAK dyshon se Beqaj ka shkelur procedurat e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj. Ky i fundit tashmë është arrestuar, bashkë me ish-zv ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Ndërsa ish-ministri zbaton masën që ka dhënë SPAK, një hetim paralel ka nisur për të, për dyshimet që kanë të bëjnë me fondet e huaja, koordinuar nga SASPAC, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, ku Beqaj ka qenë drejtor. SPAK dyshon se Beqaj ka kryer veprat e shpërdorit të detyrës dhe korrupsionit.
Mirëpo, nuk ka regjistruar ende një procedim. Struktura e Posaçme ka ushtruar kontroll në banesën e Beqajt dhe i është sekuestruar kompjuteri, celulari dhe dokumente të tjera. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e anëtarëve të tjerë të SASPAC./ZËRI/