TIRANË- Këtë të martë u mbajt seanca e radhës gjyqësore në GJKKO, në ngarkim të kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, nën akuzë për korrupsion në zgjedhje. Seanca e sotme vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Edhe këtë të martë, SPAK ka vijuar me pyetjen e dëshmitarëve të thirrur në këtë proces.
Gjatë seancës, dëshmitari Anton Lumi deklaroi se nuk e njeh kryebashkiakun Shkreli, duke treguar se punon si elektricist për linjat elektrike në disa fshatra të Shkodër. Ai shtoi se ky proces po bëhet qesharak pasi sipas tij, kryebashkiaku nuk ka bërë asnjë krim.
Por, deklarata e tij u kundërshtua nga prokurori i SPAK, Dritan Prenci, pasi sipas tij, dëshmitari ka dhënjë një tjetër version të deklaratës gjatë hetimit paraprak.
“Dëshmitari ka dhënë tjetër deklaratë gjatë hetimit paraprak”, u shpreh prokurori Dritan Prenci.
Gjithashtu, edhe dëshmitarë të tjerë, janë kundërshtuar nga SPAK, me të njëjtin pretendim se, kanë ndryshuar deklaratë ndryshe nga ajo gjatë hetimeve paraprake.
Dëshmitari Prek Kotaj: Unë punoj elektricist pranë OSHEE Shkodër. Në fshatin Stajkë është bërë një remont dhe kemi shkuar si grup, të cilin na e ka caktuar drejtori. Nuk e di në çfarë periudhe, por mbaj mend që kemi hequr disa kabuj të vjetër dhe vendosur të rinj. Nuk e njoh Kristian Shkrelin. As nuk jam përfshirë në asnjë zgjedhje.
Dëshmitari Anton Lumi: Punoj elektricist në zonën e Komanit pranë Vau i Dejës, prej gati 3 vitesh. Më ka thirrur shefi, kam shkuar në Stajkë për një remont. Ka qenë dy ditë atje. Kam ndihmuar grupin për kabujt. S’e mbaj mend periudhën se kur kam shkuar për të punuar në fshatin Stajkë.
Dëshmitari Klaudjo Fusha: Punoj me OSHEE Shkodër, elektricist. Jam në dijeni dhe kam punuar vetëm 1 ditë aty. Kohën fiks nuk e mbaj mend. Aty më ka çuar shefi i teknikës për të shtrirë një kabull. Kam punuar rreth 8 orë. Nuk e njoh Kristian Shkrelin dhe as nuk e kam takuar kurrë.
Pjesë nga seanca: dëshmitarët-prokurorët e SPAK
Dëshmitari Prek Kotaj
SPAK: A jeni ju në dijeni për ndonjë remont të këtyre linjave në fshatin Stajkë. Në maj 2026 kanë qenë zgjedhjet, a mund ta lidhni nëse keni punuar para apo pas zgjedhjeve?
Dëshmitari: Nuk e mbaj mend hiç. Mua më çoi shefi im Jetmir Deda për të shtruar një kabull, tetori ka qenë fillimi i punës. Aty kishte dhe vendalinj dhe të OSHEE, kishte edhe elektricistë të tjerë
SPAK: Ju çfarë pune do bënit?
Dëshmitari: Do shtrija kabull
SPAK: Çfarë problematikash kishte kjo linjë
Dëshmitari: Nuk e di, nuk kam dijeni
Avokatët e kryebashkiakut: Kush ju urdhëroi juve të punoni për remont në fshatin Stajkë?
Dëshmitari: Jetmir Deda
Avokatët e kryebashkiakut: Kjo është rutinë?
Dëshmitari: Po po
Avokatët e kryebashkiakut: Kristjan Shkrelin a e njeh?
Dëshmitari: As e njoh as kam folur me të
Avokatët e kryebashkiakut: Çfarë veprimesh keni bërë atë ditë?
Dëshmitari: Shtroj kabëll me këmbaleca
Avokatët e kryebashkiakut: OSHEE rajoni Shkodër a disponon mjete të tilla me vinç fadromë?
Dëshmitari: Nuk e di, në qendër kam parë si këto mjete
Avokatët e kryebashkiakut: Duke qenë se prokurori pyet a ka shtrirë apo jo kabllin, dhe ky proces u bë me shtrirje kablli unë s’kam pyetje tjetër për dëshmitarin
SPAK: Kërkoj kundërshtimin e pjesshëm të dëshmisë së dëshmitarit Klaudio Fusha sepse ai ka deklaruar ndryshe gjatë hetimeve paraprake për mjete. Ja lë në çmim gjykatës
Dëshmitari Kastriot Gavoci
SPAK: Dëshmitar ku punoni?
Dëshmitari Gavoci: Punoj pranë bashkisë se Vaut të Dejës prej tetë vitesh punoj si shofer
SPAK: Çfarë makine?
Gavoci: Fadromë e verdhë.
SPAK: A mund të dëshmoni nëse keni punuar apo jo në një linjë elektrike të fshatit Stajkë, Vau i Dejës, qoftë hapje apo mbyllje gropash apo vendosje shtyllash?
Dëshmitari: Ndërmarrja jonë është vetëm për rrugë e kanale.
SPAK: A jeni në dijeni për linja elektrike?
Gavoci: Merr në telefon kryeplaku dhe thotë se është problem rruga. Unë jam banor i fshatit Stajkë dhe telat bien rrugës. Si fshat është zonë e madhe, është e hapur. Janë bërë rrugë, investime, nuk e di se kur janë bërë këto investime.
SPAK: Nëse ju orientoj me zgjedhjet e 11 majit, janë bërë para apo pas zgjedhjeve?
Gavoci: S’e mbaj mend, për Zotin.
SPAK: Kë ke drejtor në ndërmarrje?
Gavoci: Besmirin, s’ia mbaj mend mbiemrin.
SPAK: A ju ka orientuar ky person për punime për linjën e Stajkës?
Gavoci: Jo.
Avokatët e kryebashkiakut: Cilat janë detyrat e tua?
Gavoci: Jam katunar dhe puna ime është të bëj kujdes, të punoj, mos me pi.
Avokatët: Mos me pi?
Gavoci: O zonjë, s’duhet me pi kur jam në punë.
Avokatët e kryebashkiakut: Çfarë mjeti përdor në punë?
Gavoci: Përdor fadromë, targat s’i mbaj mend se ka 20 e ca vjet dhe u kanë rënë. Ka ngjyrë të verdhë.
Avokatët: A keni patur probleme me energjinë elektrike?
Gavoci: Vazhdojmë të kemi probleme me energjinë elektrike, ik e eja, na thonë se do bëhet remont.
Avokatët: Po rruga?
Gavoci: Ata e kanë të shtruar, ua ka bërë firmë private, janë të kënaqur.
Seanca e radhës u caktua më 19 maj, ora 15:00, pasi prokurorisë i duhet kohë për prova shkresore.
Hetimet e SPAK kanë nisur më 20 mars, mbi një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Në muajin maj të vitit 2025, në prag të zgjedhjeve të 11 majit, Shkrelit ju sekuestrua telefoni celular ndërsa iu ushtrua edhe kontroll. Shkreli është i dyshuar për veprën penale të korrupsionit zgjedhor, pasi dyshohet se bleu vota për PSD-në e Tom Doshit. Së bashku me Shkrelin te dyshuar janë edhe 3 persona të tjerë, që dyshohet se janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të shitblerjes së votës në qarkun e Shkodrës.
Kryebashkiaku socialist ishte në shënjestër të kritikave të Kryeministrit Rama. Para sekuestrimit të celularit, gjatë një takimi elektoral të zhvilluar në Shkodër, ZËRI kapi momentin kur kryeministri Edi Rama ka ‘kritikuar’ nën zë kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Kristian Shkreli. Në momentin që kishte hequr mikrofonin nga dora dhe po largohej, Rama u ndal pak sekonda përballë Shkrelit dhe i tha: "Kristian mos më luaj me dy porta Kristian! Mos më luaj me dy porta!"/ZËRI