
TIRANË – Cili shtet europian paguan më tepër mësuesit? Sa rriten pagat, nisur nga zhvillimi profesional? Përgjigjet për pyetjet mund të gjenden në një studim krahasues nga Rrjeti EURYDIKI, Rrjeti Evropian i Informacionit për organizimin dhe funksionimin e sistemeve arsimore në Evropë, i cili u publikua së fundi në serinë e raporteve përkatëse "Fakte & Shifra" dhe i referohet dy viteve, 2021- 2022.
Janë një sërë gjetjesh interesante të publikuara në këtë raport. Dallime të konsiderueshme vërehen midis shteteve evropiane për sa i përket shpërblimit ligjor për mësuesit e sapoemëruar. Të ardhurat vjetore të mësuesve bruto variojnë nga 11 000 deri 59 000 euro. Shqiptarët janë në pozita të ulëta.
Mësuesit parashkollorë në Europë, paguhen mesatarisht, dukshëm më pak se kolegët e tyre të shkollave të mesme. Paga e mësueve, nga nisja e punës e deri në pension, pëson rritje vetëm 14 përqind në Shqipëri, duke qenë vendi i fundit europian në këtë tregues. Qipro kryeson sa i përket rritjes së pagës së mësuesit gjatë karrierës.
Për të arritur nivelin më të lartë të pagës, mësuesit duhet të kenë punuar mesatarisht 12 vite në Danimarkë dhe Holandë, por 42 vite në Hungari. Në Irlandë, Qipro, Holandë dhe Poloni, pagat fillestare të mësuesve mund të rriten me më shumë se 60% brenda pesëmbëdhjetë viteve të para.
Të ardhurat vjetore të mësuesve në të gjitha nivelet në periudhën 2014/2015 - 2021/2022 janë tkurrur në Belgjikë, Greqi, Spanjë, Itali, Qipro, Portugali, Finlandë, Norvegji. Përkundrazi, në gjashtë vitet e fundit ka pasur një rritje deri në 30% të pagave të mësuesve bullgarë, lituanezë, serbë dhe letonezë.
Paga e mësuesit zakonisht lidhet me të ardhurat kombëtare bruto për frymë. Më thjesht, sa më të larta të jenë të ardhurat për frymë, aq më të larta janë pagat mesatare të mësuesve. Në shumë shtete europiane, paga mesatare e mësuesve është më e ulët se të ardhurat kombëtare bruto për frymë.
Mësuesit shqiptarë, ndër më të keqpaguarit në Europë
Komisioni Evropian ashtu edhe Këshilli i Evropës aspirojnë deri në vitin 2025 të formulojnë një plan strategjik për bashkëpunimet evropiane në fushën e arsimit dhe trajnimit të mësuesve, duke rivlerësuar pagat e mësuesve, në mënyrë që ta bëjnë atë një profesion më tërheqës për të rinjtë.
Fitimet janë arsye e rëndësishme, pse shumë të rinj do të donin të ishin mësues. Edhe kushtet e punës, perspektivat për karrierë, mundësitë e zhvillimit profesional janë disa nga motive për të zgjedhur të jesh mësues/e. Kjo duhet të jetë me rëndësi, në një kohë kur në disa vende evropiane ka mungesë mësuesish, si dhe tërheqje të shumë prej tyre nga tregu i punës, për shkak të daljes në pension. Ndaj, motivimi i mësuesve, merr vlerë edhe më të madhe.
Pagesa vjetore për mësuesit europianë varion nga 11000 deri 59000 euro
Por, mes vendeve të Europës vazhdon që të ketë dallime në paga të mësuesve. Shpërblimi i përgjithshëm vjetor ligjor për mësuesit evropianë, duke përfshirë shpërblimet, varion nga 11 000 deri 59 000 €.
Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë shtetet, ku pagat e mësuesve janë më të ulëtat. Përkundrazi, mësuesit më të paguar të sapo punësuar me paga (që i kalojnë 34 mijë euro në vit) janë në Gjermani, Luksemburg, Holandë, Austri, Zvicër. Veçanërisht në Gjermani, paga kalon 50 000 euro në vit, në të gjitha nivelet arsimore. Kjo shumë është tejkaluar edhe nga mësuesit e arsimit të mesëm në Luksemburg.
Shqipëria bën pjesë në ato vende europiane, ku paga që merr mësuesi, varet nga niveli arsimor, ku ai jep mësim. Këtë sistem pagash, në varësi të nivelit arsimor ku jepet mësim, e kanë dhe vende si Gjermania, Finlanda, Suedia, Bosnje dhe Hercegovina, Zvicra, Lihtenshtajni, Maqedonia e Veriut.
Pagat e drejtorëve
Drejtorët e shkollave luajnë një rol vendimtar në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të procesit arsimor në tërësi, duke formësuar politikën e çdo shkolle. Sipas kërkimit krahasues të Rrjetit Eurydice, mësuesit me përvojë 15-vjeçare paguhen dhe më tepër se drejtorët në shtete të Europës, si Belgjika, Shqipëria, Holanda, Austria. Hendeku i pagave është veçanërisht i lartë në Itali, ku drejtorët e shkollave fitojnë rreth dy herë më shumë se mësuesit./Zëri.ai/