
TIRANË-SPAK ka dhënë detaje lidhur me megaoperacionin e zhvilluar një ditë më parë, (31 korrik 2024) vijim i operacionit "Plumbi i Artë" ndërmarrë në disa qytete të vendit. Objektivi kanë qenë vëllezërit nga Elbasani, Hajdar dhe Franc Çopja, të cilët përveç porositës të 6 vrasjeve, Prokuroria e Posaçe ka zbuluar se janë edhe autorë të grabitjes me armë të ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, Rinas, Tiranë më 9 prill 2019 ku dhe u grabitën 10 milionë euro.
"Fakti Penal “Vjedhja me armë e mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Minella Muçi dhe Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë, ngjarje e ndodhur më datë 23.03.2018, në lagjen 28 nëntori, në Fier; Fakti Penal “Vjedhja me armë e vlerave monetare” që do transportoheshin me linjën e avionit Tiranë – Vjenë, ngjarje e ndodhur më datë 09.04.2019, në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, Rinas, Tiranë,"-thuhet në njoftimin e SPAK.
Si ndodhi grabitja në Rinas
Në 9 prill 2019 u grabitën paratë në barkun e avionit në Aeroportin e Rinasit, ku gjatë ndjekjes u vra nga policia Admir Murataj, që u konsiderua nga Prokuroria si 'koka' e grabitjes. Me anë të një furgoni me mbishkrimin “Hetimi tatimor”, Murataj, bashke me të paktën 3 persona të tjerë, morën në momentin që po ngarkoheshin në avion 7 thasë me para.
Në dojen e Prokurorisë thihet se në datë 09 rreth orës 15:20, në pistën e aeroportit "Nënë Tereza", Rinas, Tiranë, disa persona të veshur me kamuflazh me maska dhe të armatosur kanë vjedhur sasi të mëdha parash në vlerë Euro, në momentin që do të transportoheshin me avionin e linjës "Austria Airline" në itinerarin Tiranë-Vjene.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, rezulton të ketë filluar në avionin e linjës "Austria Airline" që gjendej në terminalin e Aeroportit "Nënë Tereza", ka rezultuar se në afërsi të këtij avioni në vendin ku ngarkohen bagazhet kanë qenë dy transporter të përmasave 2.2 m që shërbejnë për të ngarkuar bagazhet e pasagjerëve.
Në vijim të veprimeve hetimore, ka rezultuar se personat e maskuar të veshur me kamuflash me anë të pincave kanë këputur drynin dhe zinxhirin e emergjencës që mbante këtë dryn ku kanë hapur portat hyrëse të anës perëndimore të emergjencës së rrethimit të aeroportit, konkretisht në afërsi të repartit të zjarrfikësit. Rezulton se personat kanë patur me vete një automjet tip furgon të makrës Volksvagen me targë AA 248KE, dhe me mbishkrimin Hetimi Tatimor. Menjëherë personat e maskuar kanë lëvizur me këtë automjet në avionin e linjës Austria Airline, kanë shkuar tek vendi ku po ngarkoheshin valixhet e pasagjerëve dhe pikërisht tek barku i avionit, nën kërcënimin e armëve kanë vjedhur sasi të mëdha parash në valutë euro.
Operacioni i zhvilluar zbardhi katër atentate që lanë pas 6 të vdekur. Bëhet fjalë për masakrën e Bradasheshit, ku u vranë Endrit Alibej, Albert Dylgjeri dhe Erdal Duranay; vrasjen e Klevis Kapllanit; atentatin ku mbeti i vrarë Klevin Baho dhe vrasja e Andi Zylyfit, ngjarje të cilat rezulton se janë urdhëruar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Gjithashtu me urdhër të dyshes numërohen dhe 16 tentativa të dështuara, 4 për të vrarë Erion Alibej, dy për Nuredin Dumanin, atentati i dështuar kundrejt Kei Pikut e Irfan Azizi dhe tentativat e tjera për të tjerë personazhë, rivalë të tyre që ende nuk u janë zbardhur emrat. Vëllezërit Çopja sipas SPAK kanë qenë dhe truri i grabitjes së Rinasit. Dyshja ndihmoheshin dhe nga punonjës në institucione të drejtësisë, përmendim këtu gjyqtaren Pajtime Fetahu që është lënë në masën “arrest shtëpie” dhe një punonjëse të administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë që u kalonte të dhëna sekrete. Vëllezërit Çopja kishin rekrutuar dhe dy punonjës policie në grupin e tyre. Gjatë operacionit janë sekuestruar 1 mln euro kesh dhe 42 pasuri, mes tyre prona e llogari bankare. Vetë Franc Çopja ndodhet ndodhet i arrestuar në Belgjikë, ndërsa Hajdar Çopja i prangosur në Dubai./ZËRI