TIRANË-GJKKO ka konfirmuar masën e arrestit në burg ndaj Aleks Ndreka, i cili u ekstradua dy ditë më parë nga Italia drejt Shqipërisë, për llogari të SPAK. Ndreka ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza” në korrik 2023 dhe ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje”. Ai u arrestua në Itali më 7 qershor 2024, në aeroportin e Malpensës në Milano.
Ndreka dyshohet se ka pasur rol në sigurimin e informacioneve për vendndodhjen e disa personave, mes tyre Dorian Duli, Ibrahim Lici dhe Genc Tafili. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me Prekë Kodrën për organizimin e atentateve ndaj tyre. Për këto vepra penale, GJKKO ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë.
Kush është "Leksi i druve"?
Aleksandër Deda, 49 vjeç, është një personazh i njohur në Lezhë, ku njihet si biznesmen. Deri para vitit 2020, emri i tij nuk ishte dëgjuar kurrë pasi nuk kishte pasur probleme me Policinë e Shtetit. Por kjo vetëm deri në dhjetor të atij viti, pasi ndaj tij u organizua një atentat që nuk do të ishte i pari për të. Disa të tjerë pasuan, madje një tentativë për vrasjen e tij u planifikua edhe me dron.
Me "çmontimin" e dosjes "Revanshi", u zbulua edhe arsyeja se përse ndaj tij ishin organizuar disa prita për ta ekzekutuar. Arsyeja ishte se ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka, dyshonte se "Leksi" kishte gisht në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandrit. Për Ndokën, Ndreka dhe një biznesmen tjetër nga Lezha, tashmë i vrarë, Ardian Nikulaj kishin 'pajtuar' Durim Bamin për t'i ekzekutuar të vëllanë. Ndaj në dosje, zbulohen planet që Ndoka bënte për të hequr qafe "të fortin e Niklës", por edhe Ndrekën.
Fillimisht në vitin 2020 në superstradën Lezhë-Laç, ai u plagos në gjoks me armë zjarri, më pas në mars të vitit 2022 u tentua sërish vrasja e tij, por shpëtoi nga një xhup i fryrë dhe me pupla, ndërsa më pas eliminimi i tij u tentua edhe me dron. Mirëpo në asnjë rast, planet e thurura kundër tij patën sukses./ZËRI