Aktualitet

Skandali i eksportit të mbetjeve, Arta Dollani merret në pyetje, pyetet për të dytën herë Gjovana Sokolaj

Në pyetje janë marrë edhe disa nga drejtorët e drejtorive, të cilët kanë dhënë shpjegime të detajuara lidhur me kontrollet apo inspektimet që kanë kryer në kompaninë "Sokolaj", apo edhe "Kurum".

k.m.
Skandali i eksportit të mbetjeve, Arta Dollani merret në pyetje,
Arta Dollani

DURRËS- Prokuroria e Durrësit ka nisur marrjen në pyetje zyrtarët më të lartë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit lidhur me skandalin e eksportit të mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria drejt Tajlandës. E para që u pyet nga prokurorët e çështjes është Arta Dollani, drejtoreshë e AKM-së. Por nuk ka qenë e vetmja. Sipas "VNA", në pyetje janë marrë edhe disa nga drejtorët e drejtorive, të cilët kanë dhënë shpjegime të detajuara lidhur me kontrollet apo inspektimet që kanë kryer në kompaninë "Sokolaj", apo edhe "Kurum".

Gjithashtu është marrë në pyetje edhe një zyrtare e lartë e Ministrisë së Mjedisit, por nuk dihet se cili është personazhi në fjalë. Po ashtu, në pyetje për herë të dytë është marrë edhe pronarja e kompanisë "Sokolaj", Gjovana Sokolaj.

Mbetjet toksike të cilat kaluan nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, mbi të cilat po hetojnë autoritet shqiptare bashkë me Olaf, thuhet se u nisën nga impianti 'Kurum' pranë metalurgjikut në Elbasan. Mbetjet toksike më pas i ka shitur tek kompania 'Sokolaj'. Më pas, 'Sokolaj' ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë, ndërsa kontejnerët janë nisur nga porti i Durrësit me destinacion fundor Tajlandën më 4 korrik 2024.

Udhëtimi i kontejnerëve të dyshuar ka vënë alarmin në shumë vende që kur u ngarkuan në portin shqiptar të Durrësit në korrik. Tajlanda refuzoi të pranonte dërgesën pasi u njoftua për përmbajtjen e saj të rrezikshme nga grupet mjedisore. Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.

Autoritetet tajlandeze dhe rrjeti i Bazelit kanë konfirmuar zyrtarisht se Shqipëria nuk ka autorizuar zyrtarisht eksport mbetjesh. Ndërkohë çështja është në hetim nga Prokuroria e Durrësit, që po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga "Kurum-i" për t'i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët./ZËRI

Poll

MOS HUMB