
TIRANË- Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani nuk ka lëshuar asnjë informacion duke theksuar se skandalin e mikrokredive e ka nën hetim. Në raportimin që ai po bën në Komisionin e Ligjeve, Dumani u pyet për disa çështje, por edhe për mikrokreditë zgjodhi heshtjen. Të njëjtën "përgjigje" dha edhe kur u pyet nëse është i vërtetë lajmi se po hetohet pasuria e kryebashkiakut të Tiranës. Një sqarim dha edhe për komentin që Veliaj bëri duke e cilësuar Dumanin si "kolegun" e tij.
"A ka nisur hetim pasuror për Veliajn? Kësaj pyetje nuk i jap përgjigje. Kjo është çështje hetimi. Kolegë ne kemi vetëm njëri-tjetrin dhe BKH. Ne jemi kolegët tanë. A ka politikanë të lartë që kanë përdorur SKY? Nuk mund të pronconohem janë çështje nën hetim. Jemi në hetim e sipër dhe nuk mund të jap informacion sa i përket kësaj. Edhe për mikrokreditë nuk jap asnjë prononcim pasi është çështje nën hetim,"-tha Dumani në fjalën e tij në Komisionin e Ligjeve.
Çfarë është skandali i mikrokredive?
Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCR, ku në një rast, vetë gruaja e guvernatorit Gent Sejko, në postin e drejtoreshës së Tirana Bank, shiti 5 mijë kredi me një të rënë të lapsit te dyshja Olsi dhe Elda Ibro, të cilët me licencën e dhuruar nga Guvernatori nisën presionet dhe shantazhet mbi viktimat për të mbledhur paratë. Bashkë me ta, në treg janë dhe qindra zyra ligjore që ushtrojnë presion për mbledhjen e parave duke shkelur haptaz ligjin për njoftimin, kamatvonesat apo kalimin e çështjes në gjykatë. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet ti japë një përgjigje!/ZËRI