
TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka dërguar në Komisionin e Ligjeve në Kuvend skandalin e mikrokredive të denoncuar nga "ZËRI". Pas një pyetje të drejtuar nga Damian Gjiknuri, i cili kërkoi më shumë informacion nga ministri lidhur me skandalin, Manja ka bërë me dije hapat që ka ndërmarrë për të denoncuar zhvatjen e qytetarëve. Në fjalën e tij, ministri bëri me dije se çështjen e ka ndjekur në rrugë ligjore, por ka hasur në një problem. Të paktën 11 përmbaruesve që u ka hequr licensën brenda një viti nuk u ka marrë dot arkivat e dosjeve. Ndaj edhe propozon ndryshimin e ligjit që edhe përmbaruesit, ashtu si noterët, në rast heqje license, të dorëzojnë dosjet që kanë në arkivat e tyre. Për vetëm një kompani private, Zig, Manja tregon se 6000 dosje i ka gjetur në bodrumin e Ministrisë së Drejtësisë.