Aktualitet

Skandali me diplomat false/ Qeveria mbyll veprimtarinë e kolegjit universitar 'Wisdom'

Në vendim thuhet se 'Wisdom' ka për detyrë, të kthejë pagesat e kryera nga çdo student për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit.

F.I
Skandali me diplomat false/ Qeveria mbyll veprimtarinë e kolegjit
çifti i administratorëve dhe Shqiponja Telhaj

TIRANË-Këshilli i Ministrave ka mbyllur veprimtarinë e Kolegjit Universitar “Wisdom”, pas publikimit të skandalit të shitjes së diplomave false për të rinjtë italianë kundrejt çmimit 7000-10.000 euro për diplomë. Sipas vendimit të marrë nga qeveria, Kolegji “Wisdom”, ka për detyrë të mbyllë detyrimet lidhur me veprimtarinë akademike dhe kërkimore-shkencore, për vitin akademik 2023-2024, deri në përfundimin e tij, në të gjitha programet e studimit të ofruara si edhe të kryej dokumentacionet për transferimin e studentëve në një institucion tjetër të arsimit të lartë. Gjithashtu në vendim thuhet se 'Wisdom' ka për detyrë, të kthejë pagesat e kryera nga çdo student për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit. Po ashtu, me vendim të qeverisë, vula e kolegjit universitar “Wisdom” asgjësohet sipas procedurave të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi.

Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim për kolegjin universitar Wisdom, administratorët e të cilit u vunë në pranga nga autoritetet italiane, pasi dyshohet se janë pjesë e një skandali për falsifikimin dhe shitjen e diplomave. Prokuroria e Italisë ka dalë në përfundimin se të 9 të arrestuarit, të cilët i cilëson si grup kriminal, jepnin certifikata dhe diploma false, kundrejt një pagese prej 8 mijë eurosh.

V E N D I M
PËR

MBYLLJEN E VEPRIMTARISË SË KOLEGJIT UNIVERSITAR “WISDOM”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “l”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Mbylljen e veprimtarisë së kolegjit universitar “Wisdom”, i cili e ka ushtruar veprimtarinë në qytetin e Tiranës.

2. Kolegji universitar “Wisdom” ka këto detyrime:

a) Të mbyllë të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë akademike dhe kërkimore-shkencore, për vitin akademik 2023-2024, deri në përfundimin e tij, në të gjitha programet e studimit të ofruara;
b) Të përgatisë dosjen për çdo student që nuk ka përfunduar programin përkatës të studimit, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë, që plotëson kriteret ligjore për transferimin e studimeve dhe t’ia vërë atë në dispozicion vetë studentit, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
c) Të kthejë pagesat e kryera nga çdo student për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj studentit;
ç) Të dorëzojë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponon dhe mbi bazën e të cilit ka zhvilluar veprimtarinë e tij akademike dhe kërkimore-shkencore në strukturat përgjegjëse, në përputhje me kuadrin ligjor për arkivat, brenda 2 (dy) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
d) Të vendosë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave, të parashikuara në këtë vendim.
dh) Të vendosë në dispozicion personel akademik dhe administrativ të nevojshëm deri në përfundimin e procesit për mbylljen e tij, sipas afateve të përcaktuara në këtë vendim.

3. Vula e kolegjit universitar “Wisdom” asgjësohet sipas procedurave të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi.

4. Të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për mbylljen e kolegjit universitar “Wisdom”, në zbatim të këtij vendimi, përballohen nga ana e institucionit jopublik të arsimit të lartë/personit juridik që e përfaqëson.

5. Institucionet e arsimit të lartë pranojnë deri në datën 20.11.2024 aplikimet për transferimin e studentëve të kolegjit universitar “Wisdom”, për vitin akademik 2024-2025, në programe të njëjta apo të ngjashme studimi, kur plotësojnë kriteret ligjore.

6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Qendra Kombëtare e Biznesit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe kolegji universitar “Wisdom”/personi juridik “Wisdom”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

Çfarë ka ndodhur?

Një skandal ka përfshirë sistemin arsimor në Shqipëri e ka zanafillën në Kolegjin Universitar Wisdom! Gjithçka u sinjalizua nga mediat italiane që raportuan se dy administratorët e Wisdom në Tiranë, kanë ngritur një skemë mashtrimi, ku shpërndanin diploma false për studentët në Itali, kundrejt pagesave që varionin nga 6 mijë deri në 20 mijë euro, në varësi të degës së specializimit, që kërkohej nga ana e përfituesve. Aksesin e kanë marrë nga zyrtarja Shqiponja Telhaj, e cila ka qenë në krye të Agjensisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, e njohur shkurtimisht si ASCAL dhe gjatë kohës që ka mbajtur këtë detyrë, i ka hapur rrugën akreditimit të këtij Kolegji Universitar në Shqipëri.

Në krye të skemës me diploma që ‘përmbytën’ tregun italian qëndronte çifti i i të sapomartuarve Savino Cianci dhe gruaja e tij Lucia Catalano, të cilët duke përfituar nga lidhjet që kishin në Shqipëri dhe në Itali, morën drejtimin e Universitetit me premtimin që do ta shndërronin në një qendër të mësimdhënies, për të gjithë studentët e ekselencës në Ballkan. Por përgjimet e Guardia Di Finanza, falë një komenti dhe dëshmive të të gjithë atyre që kishin blerë diploma false, një prej tyre dhe një mësuesi, zbuluan se në fakt ajo që po ndodhte në vendin tonë ishte një skemë mashtrimi dhe shitje diplomash./ZËRI

Poll

MOS HUMB