
TIRANË- ZËRI vazhdon misionin! CLO Legal Solution, zyra ligjore që ka në dorë çështjen e qytetares D.Xh., e cila rrëfeu me zë dhe me figurë se si për 1 milion lekë kredi po i kërkohet të paguajë 7 milion lekë të vjetra në një prej institucioneve mikrofinanciare, nuk pranon të japë asnjë koment për dosjen në fjalë.
ZËRI kontaktoi me numrin zyrtar të CLO Legal Solution dhe nuk mori asnjë përgjigje konkrete prej tyre. Ajo që na u tha nga vajza që na u përgjigj në telefon ishte se informacione më të detajuara do t’ia jepnin vetëm qytetares, me kushtin që ajo të paraqitet me një avokat pranë zyrave të tyre.
Telefonata:
Gazetari Edon Kuqi: Jam Edon Kuqi, gazetar nga ZËRI
CLO Legal Solution: Po, më thoni
Gazetari Edon Kuqi: Ju telefonojmë në lidhje me rastin e zonjës D.X.h. Zonja ka denoncuar rastin tek ne.
CLO Legal Solution: Nuk kam informacion për këtë, çfarë kërkoni juve?
Gazetari Edon Kuqi: Zonja ka bërë denoncim në redaksinë tonë, në lidhje me një kredi e cila ka kaluar në juridiksionin e kompanisë tuaj, dhe nga 1 milion lekë ju i kërkoni 8 milion lekë. Kemi dhe mesazhe dhe biseda që zonja ka pasur me ju. Si është proceduar me rastin?
Gazetari Edon Kuqi: Juve kush jeni
Gazetari Edon Kuqi: Gazetar nga ZËRI
CLO Legal Solution: Po, por jeni gjë avokati i zonjës? Mund të vijë zonja me avokatin dhe i japim informacion, ne nuk u japim informacion gazetarëve për çdo gjë. Gjithë të mirat!
Gruaja na ka rrëfyer që nuk ka mundësi që të udhëtojë drejt Tiranës dhe të kontraktojë një avokat dhe praktikisht kjo fjali e thënë nga CLO Legal Solution bën që detyrimi i zonjës të shtohet çdo ditë e më shumë.
Megjithatë, ZËRI shkoi më tej dhe kontaktoi edhe me avokatin e CLO Legal Solution, Bledar Cenameri, i cili gjithashtu nuk dha asnjë detaj në lidhje me dosjen e zonjës. Sërish nuk morëm asnjë përgjigje koknkrete, si do të vijohet me dosjen e kësaj qytetareje?
Telefonata:
Avokat Bledar Cenameri: Përshëndetje urdhëro
Gazetari Edon Kuqi: Përshëndetje, si jeni? Me zotin Bledar Cenameri po flas?
Avokat Bledar Cenameri: Kush telefonon të lutem?
Gazetari Edon Kuqi: Jam Edon Kuqi, gazetar nga ZËRI.
Avokat Bledar Cenameri: Si mund të të ndihmoj?
Gazetari Edon Kuqi: Ju telefonoj në lidhje me rastin e zonjës Drilina Xheladini
Çfarë lidhje keni ju me këtë rast?
Gazetari Edon Kuqi: Zonja ka bërë një denoncim pranë redaksisë tonë pasi nga një kredi 1 milion lekëshe, sot i kërkohet afro 8 milion lekë.
Avokat Bledar Cenameri: E para e punës zotëri, nuk kam dijeni për ndonjë lloj denoncimi dhe nuk të njoh kush je, me gjithë respektin.
Gazetari Edon Kuqi: Kemi dhe bisedat dhe kontaktet që keni pasur
Avokat Bledar Cenameri: Më lejo, më lejo pra të lutem, a fole? Tashi të flas unë?
Gazetari Edon Kuqi: Patjetër, vetëm ruani qetësinë.
Avokat Bledar Cenameri: Sidoqoftë ne për raste specifike nuk mund të bëjmë komente, dakort? Ky është qëndrimi jonë. Zonja e nderuar mund të bëjë denoncime kudo, por e para e punës, nëse ka ndonjë ankesë për veprime të ku ta di unë se kujt, të bëjë një ankesë dhe pastaj shohim, a është trajtuar, a s’është trajtuar.
Kjo grua është vetëm një nga qindra qytetarë që presin drejtësi, është vetëm një fletë në dosjen që pret të merret në shqyrtim nga SPAK. Tashmë SPAK do të regjistrojë një dosje penale, që siç ZËRI e ka njoftuar dhe paralajmëruar shumë kohë më parë, do të jetë çmontimi i një prej skemave piramidale më të mëdha që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë vetëm me një proces abuziv, por me veprime që i përmbajnë të gjitha elementët e një grupi të strukturuar kriminal, ku të përfshirë janë MCA, Final, Fondi Besa dhe dhjetra përmbarues. Nga ana tjetër, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja përmes një dokumenti kërkon informacion nga kryetarja e kadastrës Dallëndyshe Bici, mbi veprimet që kanë kryer pranë zyrave të kadastrës 8 përmbarues privatë dhe vetë subjektet kredidhënëse “MCA” dhe “Final”, që u kanë hequr të drejtat e pasurisë qytetarëve të ndryshëm që kishin marrë kredi të vogla që variojnë nga 500 deri në 1 milion lekë të vjetra.
Por çfarë është ky skandal për të cilin flitet pak?
Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, Kredo, Iutecredit apo Fondi Besa, iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCR, ku në një rast, vetë gruaja e guvernatorit Gent Sejko, në postin e drejtoreshës së Tirana Bank, shiti 5 mijë kredi me një të rënë të lapsit te dyshja Olsi dhe Elda Ibro, të cilët me licencën e dhuruar nga Guvernatori nisën presionet dhe shantazhet mbi viktimat për të mbledhur paratë. Bashkë me ta, në treg janë dhe qindra zyra ligjore që ushtrojnë presion për mbledhjen e parave duke shkelur haptaz ligjin për njoftimin, kamatvonesat apo kalimin e çështjes në gjykatë. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet ti japë një përgjigje!/ZËRI