
TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici dhe Alma Kaçit, të përfshirë në skandal seksual.
Gjici akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në formën e favoreve seksuale, ndërsa Alma Kaçi akuzohet për korrupsion pasiv. Sipas akuzës, Alma Kaçi ka ofruar favore seksuale, ndërsa Gjici ka premtuar ta ndihmojë me projektin e saj për mbrojtjen e qenve, duke e paraqitur projektin në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Kukësit.
"Në përfundim të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, janë përftuar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura Alma Kaçi, është personi që i ka ofruar/dhënë përfitime të parregullta të pandehurit Safet Gjici, me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj përfitimin e parregullt, në formën e favorit seksual, ka premtuar/pranuar ta ndihmojë me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës", thuhet në njoftim.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit ka kryer hetime në kuadrin e proçedimit penal nr. 145, viti 2023, për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i K. Penal.
Në përfundim të hetimeve paraprake Prokuroria e Posaçme, ka vendosur t’i drejtohet me kërkesë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për dërgimin e çështjes në gjyq, në ngarkim të të pandehurve:
1. Safet Gjici, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Kryetar i Bashkisë Kukës, i akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga neni 260 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023).
2. Alma Kaçi, e akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023).
Në përfundim të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, janë përftuar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura Alma Kaçi, është personi që i ka ofruar/dhënë përfitime të parregullta të pandehurit Safet Gjici, me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj përfitimin e parregullt, në formën e favorit seksual, ka premtuar/pranuar ta ndihmojë me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.
Safet Gjici u arrestua në qershor të këtij viti, pas publikimit të një video-skandali, duke kryer marrëdhënie intime në zyrën e tij së bashku me Alma Kaçin. Ngjarja kishte ndodhur disa javë më pas rizgjedhjes së tij në krye të bashkisë Kukës. Regjistrimi ishte kryer nga Kaçi me anë të një kamere të fshehtë, të cilën kishte arritur ta fuste brenda institucionit të bashkisë dhe në zyrën e Gjicit dhe pse ky i fundit ishte mjaft i kujdesshëm. Sipas audios së zbardhur në video, Kaçi kishte kërkuar favorizim në një projekt për rehabilitimin e strehimit të qenve./Zëri.ai/