Aktualitet

SKEMA e pastrimit të parave/ Transferta e 'Cosa Nostras' që SPAK zbuloi te "Alpha Bank", Taçi do merrte 16%

Sipas Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një nga skemat komplekse të pastrimit të parave është ajo e përdorimit të institucioneve shqiptare bankare, si vend tranziti dhe përdorimi i subjekteve tregtare shqiptare, si “ndërmjetëse” të pastrimit të parave.

k.m.
SKEMA e pastrimit të parave/ Transferta e 'Cosa Nostras' që
Rezart Taçi

TIRANË-  Sot në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK, Altin Dumani tregoi si krimi i organizuar po pastron paratë përmes bankave apo dhe shitblerjeve të apartamenteve apo investimeve në zona turistike e në Tiranë. Por më konkretisht u ndal tek bankat, skemë për të cilën SPAK është thelluar më tej në raportin e vitit 2023. Në fjalën e tij sot në Komision, Dumani tha: Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave përfshin përdorimin e bankave dhe bizneset shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare si mafia italiane. Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses mafies ndërkombëtare të integronte të ardhurat në sektorin bankat, për shtresëzimin e transfertave që do të transferoheshin përmes këtij biznesi. Bashkëpunimi shumë i mirë me banka të nivelit të dytë bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte.

Por si bëhet pastrimi i parave nga organizatat kriminale ndërkombëtare?

SKEMA

SKEMA e pastrimit të parave/ Transferta e 'Cosa Nostras' që

Sipas Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një nga skemat komplekse të pastrimit të parave është ajo e përdorimit të institucioneve shqiptare bankare, si vend tranziti dhe përdorimi i subjekteve tregtare shqiptare, si “ndërmjetëse” të pastrimit të parave. Përfaqësuesit e bizneseve të ligjshme shqiptare në rolin e “ndërmjetësve” profesionistë kanë ndihmuar në krijimin e aksesit në sistemin bankar shqiptar, i cili do të përdorej për të kryer “shtresëzimin” e transfertave bankare për të kaluar ato më pas në vende të tjera.

Për të shpjeguar më konkretisht këtë shembull është marrë rasti i Rezart Taçit, i cili akuzohet se pastronte para për llogari të Cosa Nostra në Itali. Në gjithë këtë skemë, Rezart Taçi kishte përfshirë njerëzit më të besuar në Tiranë, kunatin Artur Balla dhe truprojën Bledar Lilo. Në datë 2 Gusht të vitit 2021 Petruzzela kishte udhëtuar në Tiranë ku shoqërohej nga dy qytetarë shqiptarë, Artur Balla dhe Bledar Lilo, ishte paraqitur në filialin e Alpha Bank për të paraqitur një prokurë nga Francesco Zummo ku autorizohej të kishte akses dhe të kryente transferta përmes llogarisë së tij.

Transferimi i 18.3 milionë eurove në llogarinë e një 90-vjeçari italian kishte rënë në sy dhe ky ishte operacion kompleks që kërkonte bashkëpunim edhe nga sistemi bankar. Nga përgjimi i financierit Petruzzela, bie në sy fakti se drejtoria qëndrore e bankës nga Athina, "Alpha Bank" kishte reaguar. Si përfundim ato para u bllokuan në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë. Ato ishin nisur nga Italia dhe do pastroheshin në Shqipëri. Pastrimi do bëhej me kalimin e parave nga fondacioni i themeluar prej tij me qendër në Lihtenshtajn, por me llogari bankare të çelur në Zvicër. Paratë fillimisht u transferuan nga llogaria e fondacionit në llogarinë e tij personale, po në të njëjtën bankë në Zvicër. Prej aty, me lidhjet e krijuara me një shoqëri tregtare në Shqipëri, e cila luante rolin e “ndërmjetësuesit” profesionist, paratë do të vinin fillimisht në llogarinë e tij personale të çelur në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.

Më pas, këto para do ti kalonin shoqërisë tregtare shqiptare, që merrej me tregtinë e karburanteve në formë huaje dhe kjo kompani do t’i transferonte në Hong Kong tek një shoqëri tjetër tregtare, që do të shërbente si “garantuese” për kryerjen e transanksioneve fiktive për blerje karburantesh. Për këtë shërbim do të përfitonte 16% (afërsisht 3 milion Euro) të vlerës së parave që do të pastroheshin.

Megjithatë, të paktën deri më sot, nuk ka pasur një rast tjetër me evident për pastrim parash nëpër banka, edhe pse ky fenomen është raportuar për vitin 2023. Ndoshta bëhet fjalë për dosje të tjera që ende nuk janë bërë publike. Ndërsa për çështjen në fjalë, Taçi po gjykohet në mungesë, nën akuzën “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grup i Strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal”. Të njëjtat akuza ka edhe Artur Balla e Bledar Lilon./ZËRI

Poll

MOS HUMB