
TIRANË- Pas disa shtyrjeve të njëpasnjëshme, Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC) ka anuluar procedurën e tenderit për ndërtimin e “Lift Tower”, ose siç njihet ndryshe “Kulla e Kadastrës”. Në dokumentin e parë nga "ekofin.al", shkak për anulimin e tenderit është bërë mosparaqitja e një oferte nga asnjëri prej aplikantëve. Nga të dy kompanitë që ishin kualifikuar në fazën e dytë; “Alko Impex”, në pronësi të Arbër Abazit, nipi i ish-deputetit Sadri Abazi dhe kompania “Edil Al”, në pronësi të vëllezërve Dulaku, asnjë nuk ka paraqitur që ofertë finale.
"LIFT Tower" ishte pjesë e nënprojektit të “Ndërtimi dhe menaxhimi i godinës së Kadastrës Shqiptare” ku shteti synon që përmes lëshimit të pronave të tij të përfitojë hapësira për zyra.
-
Tenderi i parë dështoi! Rihapet gara për LIFT Tower
5 Mars, 11:06 -
“Projekti i investimit synon të transformojë hapësirat dhe godinat e vjetra shtetërore që shfaqin aktualisht shenja amortizimi, degradimi dhe infrastrukturë të vjetëruar, jo bashkëkohore dhe ku kushtet ekzistuese tregojnë nevojën për të përmirësuar cilësinë e pronave. Interesi publik që përndjek projekti i investimit konsiston në përmirësimin e kushteve të punës së funksionarëve publikë, si dhe në energjizimin e qytetit duke sjellë zhvillimin e zonave urbane ku ndodhen pronat. Projekti realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti, ku Korporata ka rolin e zhvilluesit dhe ndërmjetësuesit midis institucionit publik që ka interes të zhvillojë pronat e tij dhe të përfitojë godina bashkëkohore dhe partnerit privat, që posedon burimet financiare, njerëzore dhe kapacitetet ekzekutive dhe ka interes në realizimin e projektit të investimit,”- thuhet në njoftimin e bërë nga Korporata.
Sipas kërkesave të shpallura nga AIC, kompania fituese do të ndërtonte kulla në zonën e 21-dhjetorit, në vendin ku aktualisht janë godinat e Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe Inspektoriatit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit. Por edhe pse tenderi për këtë ndërtim është hapur disa herë, asnjë nga kompanitë nuk ka dorëzuar ofertë. Sipas projektit, në këtë zonë pritet që të realizohen tre kulla, ngjitur me njëra tjetrën, me 40 kate të larta. Kompanitë që do të marrin leje ndërtimi, do të kenë përqindjen e tyre, ndërsa edhe godina e Kadastrës do të ketë përqindjen e saj të godinës që do ta vendosë në funksion të institucionit./ZËRI