TIRANË- Për të 26-tën ditë radhazi, qytetarët pritet të dalin sërish sot në protestë në Tiranë. Protestuesit nisën grumbullimin e zakonshëm në sheshin ‘Skënderbej' në orën 19:00, ndërsa më pas marshuan drejt Kryeministrisë. Me flamujt kuqezi në duar dhe thirrjet: "Rama jep dorëheqjen", "Rama n'burg, Berisha n'burg".
Protesta, e cila fillimisht nisi kundër investimeve në Zvërnec, është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë qytetare, ku kërkohet largimi i qeverisë dhe dorëheqja e pakushtëzuar e kryeministrit Edi Rama.
Në ditën e 24-të të protestës, qytetarët njoftuan se në datën 4 korrik, diaspora do të rikthehet në Tiranë për t'iu bashkuar protestës.
Ndërkohë, kujtojmë se në ditën e 23-të të saj, grupi organizator publikoi pesë kërkesa, që përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese përmes referendumit, si dhe anulimin e disa ligjeve dhe paketave të konsideruara problematike nga organizatorët.
Konkretisht kërkesat:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimi i saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht, ne nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin e zonave të mbrojtura, anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimi i Paktit të Maleve, si dhe shfuqizimi i statusit të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI