Aktualitet

SPAK e kërkon për vrasjen e Kastratit dhe atentatin ndaj Enrik Metës, "Tori" Xheçuka fshihet në Dubai

Dy nga episodet kriminale ku dyshohet se Xheçuka është i përfshirë është vrasja e Shkëlzen Kastratit në Fier dhe tentativës për të vrarë Enrik Metën në Burrel.

k.m.
SPAK e kërkon për vrasjen e Kastratit dhe atentatin ndaj Enrik
Hektor Xheçuka

TIRANË- Hektor Xheçuka, i njohur edhe si "Tori", është një 50 presonat për të cilët Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar preu një fletëarrest. Por edhe ai si shumë të tjerë i shpëtoi aksionit të forcave speciale RENEA, pasi dyshohet se është larguar drejt Emiratëve të Bashkuara Arabe, më konkresisht Dubait. Gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews" se dy nga episodet kriminale ku dyshohet se Xheçuka është i përfshirë është vrasja e Shkëlzen Kastratit në Fier dhe tentativës për të vrarë Enrik Metën në Burrel.

Sipas hetimeve të SPAK, Xheçuka ka pasur një rol të rëndësishëm në vrasjen e biznesmenit Kastrati në Fier, ngjarje për të cilën Albert Zaja është dënuar me 19 vite burg, por mesa duket në ngjarje ka pasur të përfshirë më shumë persona sesa doli në përfundim Prokuroria e Fiert. Ndër ta SPAK përmend edhe Elson Xheçukën, vëllain e "Torit", i cili dyshohet se ka qenë personi që ka tërhequr këmbëzën për të vrarë biznesmenin. Përveç Elsonit është lëshuar urdhër arrest edhe për 2 persona të tjerë që kanë gisht në vrasje, Elmir Tufa dhe Silvio alias Roland Cara. Megjithatë edhe ata janë ende në kërkim. 

Sa i përket atentatit të dështuar ndaj Enrik Metës të ndodhur në Burrel, Xheçuka ka qenë një nga të arrestuarit e parë. Por u lirua nga Apeli në "arrest shtëpie" edhe pse mbi të rëndonte akuza e “vrasjes me dashje” mbetur në tentativë në dëm të Enrik Metra dhe “mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”. Për të dyja këto akuza, Prokuroria e Matit kërkoi 6 vite burg, por trupa gjykuese e përbërë nga Armela Hasantari, dhe dy gjykatësit e Tiranës, Artan Gjermeni e Lazër Sallaku, e ulën dënimin me 4 vjet e 8 muaj burgim. Çështja u apelua ndërkohë që Xheçuka vazhdonte të kishte në fuqi masën e sigurisë "arrest në shtëpi”. Pretendohej që ai të qëndronte i mbyllur në banesën e tij në Kamëz, por Xheçuka ka lëvizur disa herë nga banesa e tij, megjithatë kurrë nuk iu revokua masa e “arrestit në shtëpi”.

Mesa duket Xheçuka ka qenë i përfshirë në disa ngjarje, por për momentin është i pakapshëm për Policinë e Shtetit dhe SPAK, pasi ka gjetur strehë (si dhjetra personazhë të tjerë të botës së krimit) në Dubai. Të paktën deri në momentin që qeveria shqiptare të firmosë një marrëveshje ekstradimi për ta./ZËRI

Poll

MOS HUMB