
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka marrë të pandehur kryebashkiakun e Libohovës, Leonard Hide. SPAK e akuzon Hidën për shpërdorim detyre, gjatë kohës që ka qenë shefi i krimeve në komisariatin e Policisë së Gjirokastrës.
Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se Hida është paraqitur mëngjesin e kësaj të marte në SPAK, për t’u njohur me akuzat. SPAK ka dyshime se në kultivimin e drogës në disa zona të ndryshme të Gjirokastrës, të kenë qenë të implikuar punonjës policie.
“Kur kandidova për kryetar bashkie nuk isha në dijeni të hetimit. Nëse është e nevojshme jap dorëheqjen”, është shprehur Hida.
Bashkë me Hidën, në dosjen e SPAK janë të përfshirë dhe zyrtarë të tjerë policie, që dyshohet se përmes rryshfetit kanë favorizuar kultivimin e kanabisit.
Hida është zgjedhur kryetar bashkie në Libohovë nga radhët e Partisë Socialiste, në zgjedhjet e 14 Majit të vitit të kaluar. Pa mbushur ende një vit në detyrë, tashmë ai është një i pandehur më shumë në listën e kryebashkiakëve që kanë llogari të hapura me drejtësinë.
/ZËRI