
STRASBURG- Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut me seli në Strasburg, nuk ka marrë në shqyrtim një prej padive të bëra nga biznesmeni italian Francesco Beccheti në drejtim të kryeministrit shqiptar Edi Rama, pasi ky i fundit e kishte sulmuar në statuse në Twitter. Përveç Beçhetit në padi ishin dhe nëna e biznesmenit italian Liliana Condomitti dhe bashkëpunëtorët Mauro De Renzis, Erjona Troplini.
Shkak për rrëzimin e kërkesës së Becchetit nga gjykata e Strasburgut, ishte fakti se ai nuk kishte ndjekur të gjitha hapat e drejtësisë, duke e paditur Ramën fillimisht në Gjykatat shqiptare, pavarësisht paragjykimeve që ai mund të ketë pasur për procesin në Shqipëri. Në statuset e tij Rama kishte deklaruar se paratë e Becchetit "ishin të pista", dhe kjo sipas bizmesmenit italian shkelte të drejtën e tyre për t’u prezumuar të pafajshëm, sa kohë që nuk kishte një vendim të formës së prerë nga ana e Gjykatës, që të provonte implikimin e tyre në vepra penale.
Gjykata theksoi se prezumimi i pafajësisë është pjesë e rëndësishme e një gjykimi të drejtë dhe ligjet e Shqipërisë e mbrojnë këtë të drejtë. Nga ana tjetër, Gjykata shprehu se kërkuesit mund ta kishin adresuar këtë pretendim në çështjen e tyre penale, ose përmes një ankimi në Gjykatën Kushtetuese. Kërkuesit nuk kishin ndërmarrë asnjë nga këto veprime, me argumentin se se “Shqipëria nuk kishte mjete juridike efektive në dispozicion”.
Konkluzioni i Gjykatës:
Gjykata vendosi unanimisht se nuk mund të pranojë ankesat e kërkuesve, pasi ata nuk kishin shteruar të gjitha mjetet e brendshme ligjore. Duke qenë se ata nuk e ndoqën çështjen me të gjitha mënyrat që ofron sistemi ligjor shqiptar, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut nuk mund ta shqyrtojë çështjen e tyre, duke e shpallur atë të papranueshme.
Ndërkohë Beccheti ka fituar gjyqin tjetër përballë qeverisë shqiptare, atë për mbylljen e televizionit Agon Channel, për të cilin shteti shqiptar ka marrë një gjobë prej 110 milionë eurosh nga Gjykata e Strasburgut.
Zeri.ai