
TIRANË- Në javën e dytë të nisjes së Universitetit, studentët e mjekësisë e gjejnë veten sërish në protestë dhe bojkot. Siç edhe kishin paralajmëruar, gjatë kësaj të hëne ata janë mbledhur fillimisht në ambientet e Universitetit për t’u nisur më pas në një marshim drejt Ministrisë së Arsimit.
Studentët kanë dalë me tre kërkesa të qarta, prej ku kërkojnë përkrahje të Universitetit, përballje drejtpërdrejt me Ministren e Arsimit, si dhe dorëheqjen e zv/ministres së Arsimit.
Dorëheqja e zëvendësministres Tole kërkohet për shkak të një deklarate që ajo bëri disa ditë më parë, ku tha se studentët që nuk kanë mundësi të paguajnë tarifën, të ndërpresin studimet.
“Marshimi do jetë me thirrje dhe thirrjet tona do jenë: Përkrahje e universitetit karshi nesh, përballja e ministres me ne live, se nuk e ka guximin për ta bërë deri më tani dhe dorëheqja e zv.ministres. A jeni gati të shkojmë tek Ministria e Arsimit?”, tha një prej studentëve, në një nga thirrjet e përbashkëta.
Pasi kanë bojkotuar mësimin, studentët nisën marshimin e tyre drejt Ministrisë së Arsimit, duke refuzuar kështu ligjin në fjalë.
Pse protestojnë studentët e Mjekësisë?
Vendimi i Këshillit të Ministrave që kaloi për votim në Kuvend gjatë muajit Korrik, kërkon që studentët e Mjekësisë të nënshkruajnë një marrëveshje për të qëndruar 11 vite në Shqipëri, 6 nga të cilat janë studim dhe 5 vite punë, e më pas kanë të drejtë të tërheqin diplomën. Në të kundërt, ata do të detyrohen që të paguajnë një tarifë të plotë studimi, e cila deri tani llogaritet në shifrën e disa mijë eurove në një vit. Për studentët kjo është një shkelje e të drejtave dhe lirive të tyre, ndërkohë që për qeverinë është një masë e domosdoshme pasi Mjekësia renditet ndër degët prioritare./Zëri.ai