
TIRANË- Të ndodhur në kohën dhe vendin e gabuar! Nuk janë të paktë njerëzit që kanë mbetur viktima për shkak të atentateve mafioze. Jo pak herë plumbat kanë marrë dhe jetët e atyre që kanë dalë të fitojnë bukn e gojës kryesisht në biznese të zotëruar e dominuar nga klientë problematikë që kanë hesape të pambyllura.
Gledio Muka, 36 vjeç, dhe Marsel Çela, 47 vjeç, u vranë tragjikisht në atentatin që u regjistruar një natë më parë në orën 23:20 në një lokal në qendër të Memaliajt. Shënjestër ishte babai i Adriatik (Andrea) Kalemit që mbeti i vrarë, por bashkë me të u ekzekutua dhe kamerieri Muka që për pak do të myllte turnin dhe po u shërbente pijet e fundit klientëve në lokal. Çela nga ana tjetër ishte një klient rastësor që kishte zgjedhur të frekuentonte lokalin e gabuar atë natë.
Por këta nuk janë të vetmit. Nëse kthehemi pas në kohë, në verën e nxehtë të vitit 2019, Ramazan Hasalliu, rreth 50 vjeç, u vra teksa kthehej në shtëpi, me bukë në dorë. Atë e kapën plumbat që u shkëmbyen mes dy grupeve në lagjen numër 4 në Kavajë.
Sherri i dhunshëm që degjeneroi në përdorimin e armëve me breshëri, nisi për zonën e influencës për shpërndarjen e drogës. Në ngjarje janë përfshirë dy grupe vëlllezërish Hyka e Dedej nga njëra anë dhe vëllezërit Aliu në krahun tjetër.
Vëllezërit Eraldo dhe Elio Hyka së bashku me Rustem dhe Elton Dedej, gjithashtu vëllezër me njëri-tjetrin, u takuan në një lokal për tu sqaruar me vëllezërit Marjus dhe Denis Aliu. Janë përplasur fillimisht me grushte dhe më pas kanë nxjerrë armët duke qëlluar me të paktën 15 plumba kundër njëri-tjetrit. Për pasojë, i vdekur mbeti kalimtari i rastësishëm Hasalliu, ndërsa 5 persona të tjerë u plagosën.
Një tjetër kamerier është bërë viktimë e breshërisë së plumbave pas një përplasjeje me armë zjarri mes dy familjeve Ferracaku dhe Gocaj për shezlonet. 20-vjeçari Musaen Zeneli e kishte ditën e tij të parë të punës në lokalin e familjes Gjocaj, ku anëtarët e familjes Ferracaku shkuan për sqarim e më pas u përfshinë në konflikt armësh. Zeneli mori një plumb në zemër dhe nuk mundi të mbijetojë. Në xhep iu gjetën vetëm 30 lekë të vjetra. Musaen Zeneli jetonte në mjerim me të ëmën dhe vëllanë e vogël, pasi të atin e kishte humbur vite më parë.
Më 4 janar 2022, Kevin Zeneli (Suçi) ngatërroi shënjestër dhe vrau Erion Çelën, si dhe la të plagosur katër persona të tjerë, mes tyre dhe një kamerier që punonte në lokalin ku ndodhi ngjarje. Atentati ishte porositur nga Kasandër Noga dhe qëllimi ishte ekzekutimi i Geron Hasanbelliut, hasmit të tij të përbetuar prej vitesh.
Banakierja Mimoza Paja mbeti e vrarë në atentatin e 12 marsit të vitit 2023, në një lokal në Don Bosko, në pronësi të Fatjon Muratit. Autorët kishin marrë informacion se Murati ndodhej në loka, por vetëm pak orë para atentatit, ai ishte larguar në Turqi përmes Kosovës. Në këtë lokal u bë kasaphanë, pasi të plagosur mbetën pesë persona, mes tyre dhe xhaxhai i Fatjon Muratit, Sahit Murati. Të tjerët u identifikuan si Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku e Genc Shohalli. E plagosur nga ciflat e xhamit që u thyen nga breshëria e plumbave mbeti dhe mbesa e Pajës.
Të gjithë këta njerëz, në botën e errët të krimit konsiderohen dëme kolaterale, por për familjet e tyre janë humbja e shtyllës së shtëpisë, që nuk meriton të shuhet mes plumbave të etur për hakmarrje dhe të mbeten statistika anonime në ngjarjet kriminale.