Aktualitet

Të dënuarit e IEVP Durrës, peticion për miratimin e amnistisë penale: Falja është njerëzore

Peticioni i drejtohet kryeministrit Edi Rama, kryeparlamentares Lindita Nikolla, ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Grupeve Parlamentare.

f.t
Të dënuarit e IEVP Durrës, peticion për miratimin e
peticioni

DURRËS-Një peticion është hartuar nga të dënuarit që vuajnë dënimin në IEVP Durrës. Ata kërkojnë të miratohet amnistia penale në parlament dhe të mos mbahen peng i qëndrimeve politike.

"Falja dhe amnistia është njerëzore dhe të dënuarit duan që politika mos t’ua çojë dëm këtë mundësi për liri”, shkruhet në peticionin, që është iniciuar nga një kryefamiljar, i cili ka humbur nënën disa muaj më parë, ndërsa i ati është sëmurë dhe ka nevojë për përkujdesje.

Peticioni i drejtohet kryeministrit Edi Rama, kryeparlamentares Lindita Nikolla, ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Grupeve Parlamentare. Ata kërkojnë që palët politike që gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të miratojnë amnistinë penal.

Në senacën e fundit të 21 shkurtit socialistët kanë tërhequr nga votimi në Kuvend projektligjin për amnistinë penale, për shkak se nuk i kanë siguruar 84 votat e nevojshme për miratimin e saj. 

Kush përfiton nga amnistia:

1. Të dënuar burra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet dhe persona të dënuar me mbi 3 vjet, por që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 3 vjet.

2. Të dënuara gra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet dhe gra, që janë dënuar me vendim të formës së prerë mbi 4 vjet, që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 4 vjet.

3. Personat e dënuar gra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.

4. Personat e dënuar burra, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.

5. Personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

Nuk përfitojnë ata të dënuar për vepra penale:

krimet kundër njerëzimit;

krimet e rënda kundër jetës;

veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit;

krimet seksuale;

veprat penale kundër lirisë së personit;

veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit;

veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes;

vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike;

vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve;

veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve;

vepra penale kundër mjedisit;

krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues;

krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera;

vepra me qëllime terroriste;

krime kundër autoritetit të shtetit;

vepra penale kundër drejtësisë;

 vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve;

 vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB