KURBIN- Detaje të reja kanë dalë në lidhje me të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në Kurbin, ku u qëlluar me breshëri plumbash drejt një automjeti. Burime bëjnë me dije se 3 persona kanë qëlluar me breshëri drejt makinës së shtetasit me iniciale M.N., i cili sapo kishte hipur në makinën e tij.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, dyshohet se shkak të jetë bërë një konflikt para 7 muajsh mes të birit të shtetasit M.N., me djemtë e shtetasit me iniciale P.GJ. Ky i fundit ëshë shpallur në kërkim së bashku me dy djemtë e tij, H.GJ. dhe P. GJ., ndërsa në total janë kërkim 5 persona.
“Rreth orës 18:55, në afërsi të hyrjes së qytetit të Laçit, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi M. N. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar. Nga veprimet e shpejta janë identifikuar autorët e dyshuar: shtetasi P. Gj. dhe dy djemtë e tij, shtetasit H. Gj. dhe P. Gj. (njëri prej tyre dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit), ndërsa vijojnë kontrollet për kapjen e tyre“, njoftoi policia.