Aktualitet

Trafik armësh Kosovë-Shqipëri/ 'S'kemi lidhje me Valterin', Gjykata e Tiranës lë në burg 5 të arrestuarit

Në qeli, për një kohë të pacaktuar, janë lënë: Endri Papa, Aurel Manreka, Gersi Llozha, Kleo Muçalliu dhe Tonin Shkami.

k.m.
Trafik armësh Kosovë-Shqipëri/ 'S'kemi lidhje me
Të arrestuarit

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka lënë në burg pa afat 5 personat e arrestuar në Shqipëri, të cilët akuzohen se janë pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafik ndërkombëtar armësh. Në qeli, për një kohë të pacaktuar, janë lënë: Endri Papa, Aurel Manreka, Gersi Llozha, Kleo Muçalliu dhe Tonin Shkami. Ndërsa për Euxhenio Manushin (djalin e muzikantit "AdSybardhi") që mbahet i arrestuar edhe për trafik kokaine, seanca pritet të mbahet të dielën (15 dhjetor 2024).

Në gjyqin e zhvilluar sot, të gjithë të arrestuarit kanë pretenduar se nuk janë përfshirë në trafikun e armëve, madje kanë shtuar as nuk kanë pasur dijeni për aktivitetin që ushtronte Valter Osmani, i cili është vendosur në pranga në Kosovë. Ai konsiderohet si kreu i grupit të trafikut të armëve, por do të gjykohet në Shqipëri, ndaj edhe kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij. Në mbështetje të klientëve, avokatët pretendojnë se asnjë prej të arrestuarit nuk ka blerë apo shitur armë. Sipas tyre, e vetmja akuzë që mund të rëndojë mbi ta është vetëm akuza e prodhimit dhe shitjes së armëve, por jo ajo e trafikut ndërkombëtar.

Valter Osmani, shqiptari i Kosovës dyshohet se ishte në krye të grupit që trafikonte armë të kalibrave të ndryshëm nga Kosova në Shqipëri dhe jo vetëm. Provat kundër tij u gjetën në një banesë në zonën e “Kombinatit” në Tiranë, pasi aty qëndronte sa herë vinte për tregtinë e armëve. Nga hetimi është zbuluar se armët vinin nga Turqia si armë sportive dhe më pas në Ferizaj modifikoheshin dhe bëheshin armë zjarri. Trafikantët përdornin ditën e shtune dhe të dielë për kalimin në kufi, pasi sipas një marrëveshje, makinat nuk kontrollohen dhe kjo ishte në favor të trafikantëve. Shpeshherë armët e zjarrit në Kosovë shkëmbeheshin jo me para, por edhe me kokainë.

Shkëmbimi i armëve me kokainë bëhej nga 25 deri në 30 gram për pistoleta dhe sasi më të madhe për armët më të sofistikuara. Këto të fundit ishin kryesisht sportive dhe dyshohet se modifikoheshin në Kosovë, por autoritet atje akoma nuk kanë gjetur vendin apo bazën ku kryhej procesi. Nga i gjithë aksioni i zhvilluar mes 2 vendeve, në pranga janë vendosur 24 persona, 14 prej tyre në Kosovë dhe pjesa tjetër në Shqipëri./ZËRI

Poll

MOS HUMB