TIRANË- SPAK ka përfunduar hetimet ndaj Ervin Matës dhe ka dërguar për gjykim në GJKKO dosjen ndaj tij, nën akuzën se ka drejtuar një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Sipas hetimeve, në fokus është një ngarkesë prej rreth 250 kilogramësh kokainë e cila dyshohet se është nisur nga Brazili me destinacion aeroportin e Frankfurtit në Gjermani në shtator 2022. Për këtë çështje Mata akuzohet për trafikim narkotikësh në bashkëpunim grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal.
Hetimi është drejtuar nga prokurori Vladimir Mara. Mata u arrestua në Brazil në prill, pas procedurave të nisura nga autoritetet shqiptare, ndërsa Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka miratuar ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Ndaj Matës ishte caktuar më herët masa e sigurisë 'arrest në burg' në tetor 2023. Në të njëjtën dosje janë dënuar edhe persona të tjerë të dyshuar si pjesë e grupit, me një total prej më shumë se 60 vitesh burgim./ZËRI