
VLORË- Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet në lidhje me vrasjen me skaf të 7-vjeçares, Jonada Avidan, ngjarje e ndodhur në plazhin e Potamit në Himarë më 2 gusht të vitit 2022. Në seancën e sotme, Prokuroria e Vlorës ka dhënë pretencën për ish-policin Arjan Tase duke e dënuar me 15 vite burg për “Vrasje me dashje”. Në njoftimin e bërë publik për mediat, Prokuroria sqaron ka qenë ish-polici Arjan Tase duke drejtuar mjetin lundrues me dy motorë, e për shkak se është afruar me bregun, i ka marrë jetën vajzës së mitur, Jonada Avdia, e cila ndërroi jetë në vend. Për Prokurorinë, kjo vepër, cilësoi si vrasje me dashje.
NJOFTIMI
Prokuroria Vlorë kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit A.T. dhe dënim me 15 vite burg për ‘Vrasje me Dashje’.
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në bazë të nenit 378 të K.Pr.Penale ka parashtruar konkluzionet përfundimtare në lidhje me procedimin penal nr.918 të vitit 2022 me të pandehur shtetasin A.T. i akuzuar për veprën penale ‘Vrasja me dashje’ parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.
Kjo prokurori, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit A.T., dhe dënimin e tij me 15 vite burg për veprën penale ‘Vrasja me dashje’. Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, deklaron se provohet se ditën e ngjarjes, në datën 02.08.2022, rezulton se i pandehuri A.T., ka qënë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorë dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij J.A., mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorrat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin. E mitura J.A. ndërroi jetë në moment.
Në lidhje me të pandehurin A.T., nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, këqyrja e vendit të ngjarjes, e pamjeve filmike, provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal në formën e dashjes indirekte. Organi i akuzës, ka bindjen e plotë se i pandehuri A.T., ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Vrasja me dashje’, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, në lidhje me kualifikimin e faktit penal si ‘Vrasja nga pakujdesia’.
7-vjeçarja humbi jetën tragjikisht në plazhin Potam të Himarës teksa po lahej në det, pasi u godit nga një gomone, e cila në kundërshti me rregulluat, po lundronte brenda kordonit të sigurisë. Joanda u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Ngjarja solli reagime nga gjithë opinion publik, ndërsa protesta u organizuan për disa ditë me radhë. Një tragjedi e tillë solli edhe reagimin e Policisë e cila bllokoi të gjitha mjetet lundruese pothuajse në të gjithë vijën bregdetare dhe iu nënshtruan një kontrolli, ndërsa edhe këtë vit kontrollet dhe ndëshkimet për drejtuesit e mjeteve lundruese që shkelin rregullat janë shtuar.
Ndërkohë, më 11 korrik 2023, Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet dhe mori zyrtarisht të pandehur ish-efektivin, që tashmë do të përballet me drejtësinë për akuzën e vrasjes me dashje në mënyrë indirekte. Për këtë vepër penale, parashikohet dënim maksimal deri në 15 vite burg. Ndërsa 8 personat e tjerë, punonjës të policisë kufitare dhe bashkisë Himarë, akuzohen për “shpërdorim detyre”./ZËRI