
TIRANË- Një turiste franceze ka rënë pre e një ngacmimi seksual gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri. Ngjarja është raportuar nga JOQ, dhe mësohet se ka ndodhur më 4 shtator. Sipas rrëfimit të bërë nga vetë turistja, ajo ka qenë duke udhëtuar nga Tirana drejt Vlorës me një nga makinat e kompanisë “Blue Taxi”, por gjatë rrugës shoferi ka nisur ta ngacmojë seksualisht. Vajza madje tregon se ai e ka prekur nga krahët dhe ka nxjerrë organin gjenital.
Në momentin që ka ndodhur kjo gjë, vajza e cila ka kërkuar të mbetet anonime në denoncimin e saj, ka kërkuar të zbresë nga taksia. Situata është vështirësuar më tej, pasi shoferi nuk e ka lejuar të zbresë për disa çaste. Më pas, ajo është larguar dhe i ka shkruar një miku shqiptar, të cilit përmes një audio-mesazhi i shpjegon gjithçka që i ka ndodhur.
“Po udhëtonim drejt Vlorës. Shoferi nisi të më bëjë komplimente duke më parë drejt e në sy e duke më thënë sa e bukur je. Më pas ai filloi të më prek nga krahët duke më thënë se kam lëkurë të bukur. Unë nisa të friksohem. Më pas ai po prekte veten dhe më pas nisi të zbërthejë pantallonat. Aty sërish preku veten dhe më nxori ***** e tij. Kërkova që të zbres por ai nuk më lejoi dhe pasi këmbëngula ai më ndaloi në një karburant”- tregon mes të tjerash turistja.
Tashmë punonësi në fjalë është larguar nga puna, por përtej rastit konkret, ajo që vihet re në komentet e bëra nga qytetarët në rrjetet sociale, është se frika ekziston. Shumë flasin për raste të tjera si ky, të tjerë kërkojnë ndëshkimin e taksistit, por ka dhe nga ata që shprehen se ndjehen të pasigurtë.
A mjafton kjo për të qetësuar qindra qytetarë që zgjedhin të udhëtojnë me taksi në çdo orë të ditës apo natës? A duhet të frikësohemi? Ndoshta është momenti që të mendohet një protokoll për të shmangur përsëritjen e këtij rasti dhe autoritetet duhet të marrin masa!






