
KAPSHTICË – Dy shqiptarë, Xhimi Hoxha dhe Miklovan Veliu u arrestuan, duke trafikuar armë zjarri nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.
Automjeti u përzgjodh për kontroll në vijën e dytë, pas zhvillimit të analizës së riskut. Pasi autoritetet kanë marrë në pyetje shoferin, ai ka shfaqur pasiguri. Kjo ka bërë që automjeti të kontrollohet në mënyrë të detajuar.
Mësohet se destinacioni i armëve ishte qyteti i Selanikut, në Greqi. Hoxha dhe Veliu kanë pretenduar se nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, por ky pretendim është rrëzuar.
Autoritetet kanë gjetur në mesazhe të celularëve të të arresturve, biseda, ku ata flasin për sajimin e vendit, ku do fshiheshin armët e zjarrit.
Bisesat mes tyre, por edhe videot që kanë shkëmbyer, që gjendeshin në celularin e njërit prej të prangosurve, janë konsideruar provë materiale nga ana e grupit hetimor.
Xhimi Hoxha dhe Miklovan Veliu janë arrestuar dje në pikën kufitare në Kapshticë, duke u përpjekur të trafikojnë drejt shtetit grek, 3 armë zjarri automatik, një pistoletë, 5 krëhëra me fishekë, si dhe municion luftarak./Zëri.ai/