
TIRANË – GJKKO ka pranuar kërkesën e biznesmenit Fiqiri Faruku, duke ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij. Masa e sigurisë ndaj Farukut u ndryshua nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
Biznesmeni Faruku u arrestua në muajin qershor 2023. Ai është pjesë e dosjes së SPAK, në kuadër të së cilës u arrestua edhe ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe zyrtarë të tjerë në këtë bashki.
Njoftimi i GJKKO:
Personi nën hetim F.F, më datë 30.11.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: zëvendësimin e masës së sigurimit.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 479, datë 04.12.2023, vendosi:
Pranimin e kërkesës të paraqitur nga i pandehuri F.F.
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj të pandehurit F.F me vendimet Nr. 57, datë 06.06.2023 dhe Nr. 61 datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
Detyrohet i pandehuri F.F të mos largohet nga banesa e tij me adresë: Rr. “*****”, Lagjia Nr. *, Pallati Nr. ****, Kati i **, *****.
Detyrimin e të pandehurit F.F, të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të.
Zbatimi dhe mbikëqyrja e kësaj mase të bëhet nga oficerët e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetim F.F.
Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit F.F, nga ambjentet e paraburgimit nëse nuk mbahet apo nëse nuk duhet të mbahet i arrestuar, i ndaluar apo i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

Fiqiri Faruku akuzohet për falsifikim dokumentesh, në lidhje me ngritjen pa leje të kateve në një pallat 11-katësh në Durrës. Bëhet fjalë për një pallat në qendër të Durrësit, i cili fillimisht ka patur një leje për 8 kate, por që ka përfunduar me 3 kate të tjera shtesë. Kanë qenë banorët e këtij pallati, që pas dëmtimeve të rënda që objekti pësoi nga tërmeti i viti 2019, paraqitën kallëzim në prokurori. Për rastin u arrestua ish-kreu i Bashkisë Vangjush Dako dhe ish-zyrtarë të tjerë lokalë./Zëri.ai/