SHKODËR- Saimir Rrustemi, komisari i policisë që dy vite më parë, u arrestua për 3 ditë, dhe më pas u pezullua nga detyra, është rikthyer në një post të rëndësishëm në krye të komisariatit të Shkodrës. Dy vite nga vënia e tij nën hetim për tenderin e rikonstruksionit të Komisariatit të Malësisë së Madhe, Rrustemi është emëruar në postin që mbante edhe dy vite më parë, atë të Shefit të Rendit në Policinë e Shkodrës.
Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se Rrustemi do të zëvendësojë në kërë detyrë Genc Reçin, i cili është transferuar në postin e shefit të Stërvitjes në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, po në Shkodër. Rrustemi është cilësuar një prej komisarëve më të mirë që ka pasur Policia e Shkodrës, por një hetim që më pas u mbyll për mungesë provash do të cënonte rëndë karrierën e tij, e cila ishte pothuajse në majat e saj.
Ishte Korriku i vitit 2022, kur Saimir Rrustemi, së bashku me 13 efektivë të tjerë të policisë së Shkodrës, do të arrestoiheshin me akuzën e abuzimit me tenderat për rikonstruksionin e Komisariatit në Malësinë e Madhe, në vlerën 2 milionë lekë. Vetë komisari do të mohonte menjëherë akuzat dhe do të bënte mbrojtjen e tij në Gjykatë, por kjo nuk e shmangu pezullimin e tij nga detyra, së bashku me kolegët e tij.
Për arrestimin e tij, asokohe pati dhe një reagim qytetar në Shkodër, ku u kërkua lirimi i Rrustemit nga akuzat. Pas një viti hetimesh, Prokuroria nuk ka gjetur prova të mjaftueshme ndaj komisarit, dhe dosja u mbyll. Tashmë komisari, pas peripecive që ka kaluar në dy vitet e fundit, është rikthyer në të njëjtin post që mbante dy vite më parë, në krye të rendit në Shkodër. /ZËRI