
TIRANË- Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj ishin miq të vjetër. Kjo faktohet dhe në dosjen e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të siguruar nga ZËRI. Po ashtu ka dyshime të forta se dhe makina e përdorur nga Ilir Beqaj, e gjobitur dhe para SPAK disa ditë më parë, të jetë e ish-ministrit, por është e regjistruar në emër të Kurtulajt për të fshehur pronësinë e vërtetë, duke përbërë kështu një shkelje tjetër nga ana e ish-ministrit. Kjo makinë është përdorur prej vitit 2019, nga Ilir Beqaj, kohë kur ka qenë dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Po ashtu ai me atë makinë, e cila drejtohej nga shoferi i tij Arben Dani, ka dalë dhe jashtë Shqipërisë.
Pjesë nga dosja:
Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me ish-drejtuesin e SASPAC Ilir Beqaj, të cilat datojnë që në kohën kur shtetasi Ilir beqaj ka qenë ortak i shoqërisë Intech+ duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtuesi i Këshillit Mbikryrës ka qenë vetë beqaj dhe më pas me krijimin e kësaj agjencie, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point. Po ashtu, rezulton se ilir beqaj përdor në mënyrë të vazhdueshme automjetin, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, i cili rezulton të jetë në pronësi të Kurtulaj, duke u ngritur dyshime se mjeti mund të jetë pasuri e fshehur e Ilir Beqajt. Automjeti rezulton të jetë blerë në 06.09.2019 kur Beqaj ka qenë deputet. Ky mjet më parë pasur targën AAAAA868 YP, e ndryshuar në 27.06.2022. Po ashtu, nga kqyrja e realizuar në media referuar dhe gjobave të marra, ky shtetas është paraqitur edhe në SPAK me këtë mjet. Ai ka dalë përgjatë vitit 2020 me këtë mjet jashtë territorit dhe në vazhdim normalisht me drejtues shoferin e tij Arben Dani. NGA DPSHTRRE rezulton se sipas procesit automatik të amortizimit të vlerës së mjetiet datë 01.02.2020 vlera e mjetit është 1.340.790 lekë, fakt i cili tregon se mjeti është blerë mbi këtë shumë. Ky mjet ka marrë 3 gjoba ku i pranishëm ka qenë Arben Dani, si dhe gjoba e fundit ka qenë me datë 12.12.2023 kur mjetin e ka pasur në përdorim Ilir Beqaj, parkuar para SPAK./ZËRI