Aktualitet

Mbaron mandati, anëtarët e KPK: Të caktohemi gjyqtarë! Këshilltarët, në Magjistraturë

31 dhjetor 2024, është data e fundit e tyre në shërbim, ndërsa mbetet e paqartë dhe e pasigurtë për ata, e ardhmja.

E.K
Mbaron mandati, anëtarët e KPK: Të caktohemi gjyqtarë!
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në seancë

TIRANË- Anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u mbetën më pak se një vit deri në përfundimin e mandatit të tyre ligjor. 31 dhjetor 2024, është data e fundit e tyre në shërbim, ndërsa mbetet e paqartë dhe e pasigurtë për ata, e ardhmja. Lidhur me këtë, kryetari  KPK, Roland Ilia i ka dërguar një letër Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit, ministrit të Drejtësisë, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Ambasadës së Bashkimit Europian dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ku kërkon ndryshimin e disa ligjive, për tu garantuar anëtarëve të KPK-së, karrierën në sistemin e drejtësisë, siç procedohet për anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të cilët pas mbarimit të detyrës, emërohen si gjyqtarë Apeli.

Dokumenti është siguruar nga “Gazeta Si”.

Kështu, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka më pak se një vit kohë për të bindur Kuvendin e Shqipërisë për të bërë disa ndryshime në ligjet e Reformës në Drejtësi, për t’u dhënë mundësinë që të mbetën brenda sistemit të drejtësisë pas përfundimit të mandatit. Sipas Ilias, performanca në punë dhe paanshmëria në proces nga anëtarët e KPK-së, bëjnë që të merren në konsideratë kërkesat e tyre.

Ilia kërkon që këshilltarë ligjorë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nisur dhe nga performanca e tyre në punë e meritojnë të jenë pjesë e Shkollës së Magjistraturës, për statusin prokuror ose gjyqtar. KPK kërkon që ata të pranohen në programin e Magjistraturës pa iu nënshtruar provimit. Por vetëm fazës së testimit psikologjik.

Po ashtu kërkohet që të bëhen ndryshime dhe në disa ligje të tjera të statusit të nëpunësit civil, ku të përfshihen dhe punonjësit e administratës së KPK-së, të statusit të mesëm dhe të ulët.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deri në dhjetor të vitit 2023 ka kaluar në “sitë” 718 subjekte nga 805 që janë gjithësej. 10%-shi, i cili është ende në shqyrtim pritet të përfundojë deri në fund të vitit, bashkë me mandatin e anëtarëve të KPK, të cilët kanë 6 vjet në detyrë. Në vitin 2022, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan nga Kuvendi që mandati i anëtarëve të KPK-së të shtyhet dhe me dy vjet, kjo u dakortësua dhe nga Partia Demokratike asokohe./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB