FIER- Një i burgosur ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Burgun e Fierit, pasi është ndjerë keq dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit. Bëhet fjalë për 69-vjeçarin Luan Bundo, i cili vuante dënimin në burgun e Fierit që prej gushtit të vitit 2021, pasi ishte transferuar nga institucioni “Jordan Misja”.
Mësohet se ai vuante nga disa probleme shëndetësore dhe trajtohej për hipertension arteria, diabet, hipertrofi të prostatës, çrregullim ankthi dhe hiperuricermi.
Mëngjesin e sotëm, ai është dërguar me shenja jete në Spitalin Rajonal Fier, por pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore s'ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë. Trupi i pajetë është dërguar në morg, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes./ZËRI