Aktualitet

U vra nga burri, Enkelejda Danaj do të prehet në Shqipëri, 50-vjeçari nuk pendohet: Hante lekët e mia

Eduart Danaj nuk ka shfaqur asnjë pendesë pas krimit të rëndë

E.K
Eduart dhe Enkelejda Danaj

TIRANË- Enkelejda Danaj, 40-vjeçarja që u masakrua për vdekje nga bashkëshorti i saj, do të përcillet sot për në banesën e fundit nga familja e saj në Shqipëri. Ndërkohë që vrasësi gjakftohtë Eduart Danaj do të dalë para gjykatës ku do të njihet me masën e sigurisë, ndërsa ka pranuar krimin e rëndë. 50-vjeçari e ka planifikuar prej kohësh krimin dhe i zuri pritë bashkëshortes së tij, duke e lënë të vdekur në vend, pasi e goditi me thikë, teksa ajo po shkonte në punë.

Enkelejda do të përcillet për në banesën e fundit në Vlorë, nga ishte dhe qyteti i origjinës së çiftit. Vëllai i saj, duke folur për protothema.gr, përmendi torturat që po kalonte motra e tij edhe kur ajo ishte shtatzënë me fëmijën e saj të parë, ai i kishte futur kokën në zbardhues.

“Ai ishte i dhunshëm dhe përderisa ka pasur tre ankesa, ka pasur mbi 40 incidente. Ai e kishte kërcënuar disa herë me thikë dhe kur ishte shtatzënë me fëmijën e parë, i kishte futur kokën në zbardhues. Vazhdimisht kërcënonte edhe fëmijët, pinte shumë dhe nuk dinte se çfarë bënte…”, tregoi ai për mediat greke, ndërsa kërkon drejtësi.

“Ne kërkojmë që drejtësia të vendoset dhe motra ime të jetë gruaja e fundit që vritet. Ata ishin ndarë prej një viti e gjysmë por ai nuk pushoi kurrë së kërcënuari. Ai ishte një pijanec dhe mendonte se ne të gjithë ishim të padrejtë ndaj tij. Shkonim çdo javë në komisariat, e mbanin një ditë dhe e lironin. Kjo ndodhte gjatë gjithë kohës. Na kishte kërcënuar edhe ne…”, tha vëllai i saj. Ai foli edhe për 40-vjeçaren.

“Motra ime ishte një zonjë që i rriti fëmijët e saj me dinjitet dhe pavarësisht vuajtjeve ajo gjithmonë kishte një buzëqeshje”, tha ai.

Sipas avokates, ai e kishte planifikuar që më parë ngjarjen e rëndë. Nga kqyrja e provave të mbledhura deri tani nga grupi hetimor, Danaj i kishte ngritur pritë ish-gruas së tij dhe kur e pa atë duke kaluar rrugën, iu afrua dhe filloi ta godiste vazhdimisht me thikë, duke e goditur më shumë se 10 herë.

Më pas ai u largua nga vendi i ngjarjes, shkoi në një hotel dhe u përpoq të fshihej në një ndërtesë ku thuhet se kishte punuar. Ai kishte me vete edhe kanaçe birre duke konsumuar një sasi të madhe alkooli. Diçka që ai e bënte edhe kur jetonte me viktimën e tij. Ai pinte dhe pastaj e rrihte. Oficerët e policisë nga departamenti lokal e gjetën gjatë një patrullimi dhe e prangosën.

Në momentin e arrestimit, sulmuesi i dyshuar ishte qartësisht nën efektin e alkoolit dhe nuk dukej se e kuptonte se çfarë kishte ndodhur. Policia e përshkruan atë si një njeri cinik që nuk tregoi asnjë pendim për veprimet e tij.

“U zgjova në mëngjes, e dija që ajo dilte 5:30 të mëngjesit. Kur e pashë, nxora thikën dhe fillova ta godas. Më pas u largova në këmbë dhe shkova në një hotel. U ula aty për pak dhe më pas shkova në kantier dhe piva disa birra derisa më në fund më arrestuan”.

I pyetur nga policia se pse e kreu krimin e rëndë, autori i vetë dyshohet se është përgjigjur se “Nuk duroja dot të shikoja zogun e saj duke drejtuar makinën time. Unë punoja dhe ajo po hante paratë e mia”.

Edhe fëmijët e çiftit kanë treguar se babai i tyre ka qenë një person mjaft i dhunshëm./ZËRI 

Poll

MOS HUMB