
BRITANI E MADHE- Ulja e numrit të njerëzve që kërkojnë të shkojnë me gomone drejt Britanisë së Madhe përmes kanalit të La Mansh ka sjellë përgjysmimin e çmimeve nga ana e trafikantëve të bandave kurde. Sipas "The Telegraf", bandat kurde e kanë ulur çmimin për një vend në gomone në vetëm 1500 £, tarifa më e lirë e shënuar ndonjëherë, nga 5000 £ që ishte vitin e kaluar.
Po sipas medias britanike, kjo ndodh pasi numri i shqiptarëve që kalojnë Kanalin ka rënë me 90 për qind si pasojë e marrëveshjes që Britania e Madhe nënshkroi me vendin tonë në dhjetor të vitit të shkuar.
Të hënën, shifrat e Home Office treguan se gati 24,000 emigrantë kanë kaluar deri më tani Kanalin këtë vit. Numri është ulur me rreth 20% në vitin 2022, kryesisht për shkak të rënies së numrit të shqiptarëve, megjithëse ka pasur rritje të numrit të afganëve, turqve dhe indianëve.
Por çmimi më i ulët pasqyron gjithashtu një ndryshim në taktikat e kontrabandistëve të njerëzve, të cilët po porosisin varka më të mëdha, që transportojnë nga 50 deri në 60 emigrantë, gjë që rrit fitimet e tyre./Zëri.ai