TIRANË- Hetime të reja bëhen me dije për Belinda Ballukun, tashmë e pezulluar nga detyra. Loti 4 i Unazës së Madhe iu shtua listës së çështjeve për hetim, por nuk është i vetmi. Bëhet fjalë edhe për 6 lote të tjera, duke krijuar atë që brenda institucioneve quhet “dosja e madhe” e tenderëve të infrastrukturës. Lidhur me këtë, janë një sërë dokumentesh, komunikimesh që i përkasin viteve 2021–2023, të cilët mund të shtojnë numrin e të pandehurve. Nga ky verifikim priten që të merren të pandehur edhe persona të tjerë.
Nga dosja hetimore e SPAK për Belinda Ballukun janë bërë publike bisedat e saj me vartësit, kryesisht Kreun e ARRSH në atë kohë, Evis Berberi, i cili tani ndodhet në burg. Mesazhet e përfshira në dosjen hetimore tregojnë se më 12 gusht 2021, punonjësit e ARRSH-së punonin deri pas mesnate për publikimin e tenderëve. Ndërsa Belinda Balluku jepte urdhrat për fituesin e tenderit.
Mesazhet e vazhdueshme lidhur me “Unazën e Madhe” të Tiranës, mes Ballukut dhe vartësit të saj, Ervis Berberi, janë në fokus të hetimeve. Sipas një bisede të 1 tetorit 2021, mesazhet nxjerrin komunikimin mes tyre mbi publikimin dhe koordinimin e veprimeve për njoftimin për Unazën. Balluku i kërkon Berberit “të jetë gati për njoftimin”, ndërsa biseda vijon mes tyre vijon për afatet e veprimeve dhe shtyrjen e njoftimeve deri të mërkurën.
Në një tjetër komunikim mes tyre, më 5 tetor 2021, Berberi e njofton Ballukun se një emisioni investigativ ka kërkuar informacion zyrtar për procedurën e prokurimit të Lotit 1 “Shqiponja”. Sipas Berberit, emisioni investigativ ka pyetur për shpalljen e fituesit dhe ankesa të mundshme, ndërsa Balluku i përgjigjet: “Të plasi trapi, bëj punën dhe zbato ligjin… Nesër publikoji të gjitha në darkë”. Ndërkohë, një ditë më pas, rezulton se në sistemin elektronik të prokurimit është përfunduar vlerësimi i ofertave të operatorëve ekonomikë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, për procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë. Loti 4”.
Pjesë nga dosja
Në datën 01.10.2021, në orën 10:47, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin “Behu gati per unazat te henen ne mengjes”.
Në orën 10:48, Evis Berberi: “Njoftimin? Apo inspektim”.
Në orën 10:48, Belinda Balluku: “Njoftimin more”.
Në orën 10:48-10:49, Evis Berberi: “Jo sot ne darke? Ska ndryshim?”.
Në orën 10:49, Belinda Balluku: “A do ti nxjerresh ne darke sot? Shume mire Por do te te them”.
Në orën 10:50, Evis Berberi: “Ok po pres po më duhen 3 ore kohe nese ka ndryshime”.
Në orën 10:52, Belinda Balluku: “Asnje ndryshim”.
Në orën 10:52, Evis Berberi: “Ok”.
Në orën 10:52, Belinda Balluku: “Thjeshte te bej kengen Por jam ne kukes”.
Në orën 16:12. Evis Berberi: “Unazat nga ora 10 e darkes”.
Në orën 21:18, Evis Berberi: “Te vazhdojme apo te presim per neser”.
Në orën 21:31-21:32, Belinda Balluku: “Jo, te mërkurën Ikni shijoni fundjavën Merruni me pune serioze Ke nje plehre aty qe flet”.
Në orën 21:33. Evis Berberi: “Cfare ka dale Ok te merkuren”.
Në datën 05.10.2021, në orën 12:50, shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetases Belinda Balluku mesazhin “Ka ardhur Stop dhe kerkon informacion per proceduren e prokurimit Loti 1 (Shqiponja). I thame bej kerkese me shkrim te marresh pergjigje e beri, kerkojne te dine nese eshte shpallur fituesi, ka pasur ankesa, nese nuk eshte shpallur pse jo? Ben dhe nje kronike jashte dhe iken”.
Në orën 12:50-12:51, Belinda Balluku: “Te plasi trapi Bej punen dhe zbato ligjin Kur te te vi ty afati i pergjigjes, do kesh mbaruar me procedurat Neser publikoji te gjitha ne darke”. Në orën 12:51. Evis Berberi: “Ok”.
Në lidhje me komunikimin e mësipërm, nga hetimi rezulton se, të nesërmen, në datën 06.10.2021, në orën 20:03, në sistemin elektronik të prokurimit është përfunduar vlerësimi i ofertave të operatorëve ekonomikë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, për procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë. Loti 4”.
Ndërkohë, sot u bë me dije se Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim të ri në drejtim të Belinda Ballukut, e cila u pezullua nga detyra e saj si zv.kryeministre, si dhe ish-kreut të Tatimeve, aktualisht deputet i PS, Ceno Klosi. Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e kallëzimit penal të depozituar nga Adriana Kalaja e cila kërkoi fillimin e hetimit pasuror për Belinda Ballukun dhe Ceno Klosin. Kalaja i akuzon Klosin dhe Ballukun për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”, ndërkohë që zv.kryeministren e akuzon edhe për “shkelje të barazisë në tendera”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të shtunën më 22 nëntor të vazhdojë zbatimin e masave të sigurimit personal të caktuara ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë shtetit të saj, pas marrjes së pandehur nga ana e SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, vepra penale të kryera në bashkëpunim me vartësit e saj.
Po ashtu, u vendos vijimi i masave të sigurimit personal “Arrest në shtëpi” ndaj të pandehurit Erald Elezi me funksion aktual administrator i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, KESH dhe për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli. Gjykata urdhëron SPAK dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi. /ZËRI
