
SHKODËR-Erdgys Arrazi, 31-vjeç është arrestuar ditën e djeshme nga policia pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë në familje. Po ashtu akuzohet edhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare për shkak të dhunës. Në dëshminë e tij Arrazi ka mohuar dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve dhe gruas.
Ndërkohë Policia në një njoftim zyrtar bën me dije se në prani të ekspertit mjeko-ligjor, nuk janë gjetur shenja dhune në trupin e pajetë të 9-vjeçares, e cila u gjet në lumin Buna nga një peshkatar i zonës.
“Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, për gjetjen në ujërat e lumit Buna, të trupit të pajetë të 9-vjeçares, ju informojmë se nga këqyrja paraprake e trupit të të miturës, në prani të ekspertit mjeko-ligjor, nuk janë konstatuar shenja dhune. Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punen për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti,"-thuhet në njoftim.
Deri tani është gjetur vetëm trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare në ujërat e lumit të Bunës, e cila sipas policisë dyshohet se është vetëmbytur për shkak të dhunës që i shkaktonte i ati. Polumbarët e RENEA-s po vijojnë kërkimet për trupat e 39-vjeçares dhe dy fëmijëve të tjerë, të cilët gjithashtu dyshohen të jenë vetëmbytur.
39-vjeçarja Alma Arrazi është larguar nga banesa bashkë me tre fëmijët e mitur. Fëmijët e mitur janë dy vajza dhe një djalë të moshës 9, 6 dhe 4 vjeç. “Zhdukjen” e gruas e ka denoncuar në polici vetë bashkëshorti i saj. Ai ka thënë se që prej ditës së djeshme nuk ka asnjë kontakt me të shoqen. Policia ka nisur hetimet për për gjetjen e saj. Pas denoncimit për zhdukjen e tyre ka qenë motra e Alma Ajazit, e cila ka dëshmuar para uniformave blu për dhunën që ushtronte 31-vjeçari ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve. Kjo ka shërbyer si Indicie për të kryer hetime./ZËRI