
TIRANË- Një 34-vjeçar është vënë në prangat e policisë, pas vdekjes së 58-vjeçarit Tonin Marku në ambientet e një pallati në ndërtim në Tiranë.
Policia ka vënë në pranga E. N., 34 vjeç, banues në Fushë Mëzez, përgjegjës punimesh në pallatin ku u gjet i pajetë Marku.
Dyshohet se, 58-vjeçari duke punuar në pallatin në ndërtim, është rrëzuar nga një lartësi mes 2 kateve të parkingut dhe si pasojë ka humbur jetën.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. N., 34 vjeç, banues në Fushë Mëzez, përgjegjës punimesh në pallatin ku u gjet i pajetë shtetasi T. M., mesditën e djeshme. Nga verifikimet e kryera për këtë rast ka rezultuar se shtetasi T. M., 58 vjeç, ishte punësuar në mënyrë të paligjshme dhe nuk i ishin siguruar kushtet e mbrojtjes në punë. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi T. M., duke punuar në pallatin në ndërtim, është rrëzuar nga një lartësi mes 2 kateve të parkingut dhe si pasojë ka humbur jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia e Tiranës.
Fillimisht gjatë ditës së djeshme u tha se 58-vjeçari kishte humbur jetën si pasojë e rrëzimit të ashensorit, por pas hetimeve ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur për shkak të shkeljes së rregullave të sigurisë në punë./Zëri.ai