Aktualitet

Vdes një fëmijë në Skënderaj pasi mori ilaçe, Prokuroria nis hetimet

Fëmija ishte me probleme mentale dhe dyshohet se ka pësuar atak kardiak.

D.XH
Vdes një fëmijë në Skënderaj pasi mori ilaçe,
Spital ne Kosove

SKËNDERAJ – Policia e Kosovës ka lajmëruar se dje ka ndodhur një rast i “vdekjes së dyshimtë”. Sipas njoftimit të dhënë nga blutë e Kosovës, kur mjekët dhe policia kanë shkuar në shtëpinë e një fëmije të sëmurë mental, ky i fundit ishte mbyllur në dhomë dhe nuk ia kanë dhënë dot ndihmën.

Më vonë, në banesën e djalit ka shkuar sërish policia dhe stafi mjekësor, që i kanë dhënë qetësues djalit të sëmurë. Pas kësaj, të sëmurit i është vështirësuar frymëmarrja dhe ka vdekur.

“Rreth orës 07:00, ankuesi mashkull kosovar ka kërkuar një ekipi mjekësor që të shkojë në shtëpinë e tij dhe t’i jepet ndihme mjekësore djalit të tij pasi ishte i sëmurë mental. Dy njësi policore së bashku me ekipin mjekësor kanë shkuar në shtëpinë e tij,  dhoma e personit ishte e mbyllur me çelës nga brenda. Derisa policia dhe ekipi mjekësor kanë provuar të komunikojnë me të, djali nuk ka pranuar të komunikojë me ta. Pas kësaj policia dhe ekipi mjekësor janë larguar nga vendndodhja. Rreth orës 09:40 në Stacion Policor është paraqitur prapë ankuesi pasi sipas tij e kishte hapur derën ku qëndronte djali i tij dhe ka kërkuar që t’i dalin në ndihmë ekipi mjekësor. Rreth orës 09:45 të dy njësitë policore së bashku me ekipin mjekësor kanë shkuar prapë në atë vendndodhje, ku nga ekipi mjekësor i është dhënë një qetësues, por pas disa minutave, personit i është keqësuar gjendja në frymëmarrje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Më tej, bëhet me dije se i sëmuri ka pësuar atak kardiak dhe trupi i tij është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore në Prishtinë./ZËRI/

Poll

MOS HUMB