TIRANË- Gjykata Administrative ka caktuar datën 3 prill për seancën sa i takon padisë së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ndaj prokurorit të posaçëm, Ols Dado. Për këtë të fundit, Veliaj pretendon se emërimi i Dados është bërë në kundërshtim me ligjin, duke argumentuar se ai nuk plotësonte kriteret ligjore për këtë pozicion. Mësohet se çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Hazbi Balliu.
Në janar të këtij viti, kryebashkiaku Erion Veliaj depozitoi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, një kërkesë-padi kundër prokurorit të Posaçëm, Ols Dado.
Në padinë e tij Veliaj shprehet se emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit – pa shkollën përkatëse të Magjistraturës. Kryebashkiaku i Tiranës kërkon nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës të prokurorit në fjalë.
Në padi theksohet se të gjitha veprimet penale të kryera ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mbështeten mbi një akt emërimi ‘nul ab initio’, duke sjellë pasoja të rënda ndaj Bashkisë së Tiranës, Republikës së Shqipërisë, rendit kushtetues, institucioneve, familjes dhe personit.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Veliaj kërkon një pezullim nga detyra për prokurorin e SPAK që e hetoi. Në shkurt të vitit 2025, pak pas arrestimit të tij kryebashkiaku kërkoi nga Inspektoriati i Lartë të Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë largimin nga çështja e tij të prokurorit të SPAK, Ols Dado. Asakohe Veliaj pretendonte se prokurori "ka pёrdorur telefonin e paguar nga taksat e taksapaguesve", dhe e ka kontaktuar duke i kërkuar një leje ndërtimi për përfitimin e tij. Sipas kryebashkiakut, hetuesi ishte në konflikt interesi.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI