
TIRANË- Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit ka reaguar këtë të martë pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut në lidhje me tragjedinë që la pas 26 viktima dhe qindra të lënduar. Përmes një reagimi publik ata mirëpresin vendimin dhe shprehen se ai vendim u dha të drejtë dhe përligji dy kërkesat e tyre: Gjyqi penal nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen tonë të plotë dhe se autoritetet e hetimit dhe gjykimit kanë vonuar padrejtësisht zbardhjen e plotë të rolit dhe të përgjegjësisë penale të mundshme të ish Ministrit të Mbrojtjes.
REAGIMI:
Një sqarim për mediat(në vend të një deklarate për shtyp)
Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit mirëpriti sot vendimin e Gjykatës së Strasburgut. Ne ndihemi të përligjur nga mbështetja që kjo gjykatë supreme i dha dy ankesave tona kryesore dhe konkretisht: Gjyqi penal nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen tonë të plotë dhe se autoritetet e hetimit dhe gjykimit kanë vonuar padrejtësisht zbardhjen e plotë të rolit dhe të përgjegjësisë penale të mundshme të ish Ministrit të Mbrojtjes.
Tashmë Gjykata e Strasburgut na konfirmoi që kemi pasur të drejtë gjatë gjithë kohës kur drejtësia shqiptare na ka shpërfillur çdo kërkesë, përpara se ta merrte seriozisht vetëm drejtësia e sotme.
Ne e mirëpritëm gjithashtu arsyetimin e Gjykatës së Strasburgut se tragjedia e Gërdecit, si në impaktin që ka pasur në historinë moderne shqiptare, ashtu edhe dhe për provat që tashmë janë të disponueshme, nuk është vetëm në interesin tonë, por edhe të shoqërisë shqiptare, që të gjithë së bashku të mësojmë rrethanat e sakta në të cilat ndodhi ajo dhe çfarë roli ka pasur në të Z.Mediu.
Meqënëse gjatë ditës së sotme kemi konstatuar interpretime të ndryshme të kësaj çështjeje, e shohim të arsyeshme të sqarojmë dhe kërkojmë nga mediat përkatëse të reflektojnë mbi sa më poshtë:
•Së pari, e drejta kryesore e fituar në këtë çështje është pjesëmarrja aktive e të dëmtuarve në procesin penal, duke kërkuar marrje provash, pyetje dëshmitarësh, e çdo gjë tjetër që palët e tjera në proces kanë të drejtë të ushtrojnë. Hetimi dhe gjykimi penal mund të jenë efektiv kur të gjithë palët përballen me njëra-tjetrën në një proces të rregullt që zbaton parimin e kontradiktoritetit;
•Së dyti, vendimi i Gjykatës së Strasburgut vulosi faktin që kjo është një çështje e pastër juridike dhe jo politike ndaj askujt. Zbardhja e plotë e rolit të ish Ministrit të Mbrojtjes është detyrë e gjykatave vendase dhe pa realizuar këtë aspekt, shkelja e konstatuar nga Gjykata e Strasburgbut nuk riparohet;
•Së treti, të respektohet plotësisht e drejta e Z.Mediu për prezumimin e pafajësisë. Që nga fillimi dhe deri në fund, kërkimi ynë lidhet me zbardhjen e të vërtetës dhe jo me hakmarrje;
•Së katërti, të kuptohet që dëmshpërblimet e dhëna nga Gjykata e Strasburgut nuk janë për humbjen e jetës, nuk zëvendësojnë asnjë drejtësi të mohuar dhe nuk janë as në fokusin e viktimave, por kjo është një mënyrë normale e të vepruarit të kësaj gjykate kur ajo konstaton se ata kanë kaluar në andralla procedurale, pa arritur të realizojnë të drejtat e tyre;
•Së fundi, gjetjet dhe arsyetimi i Gjykatës së Strasburgut janë komplekse dhe me shumë interes për të vënë organet vendase të drejtësisë përpara një presioni pozitiv për të përmbushur të drejtat e ligjshme të familjarëve të viktimave dhe të plagosurve.
Gjejmë rastin që të shprehim vlerësimin tonë pozitiv për Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion dhe Gjykatën e Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin që nisën të plotësonin këto të drejta (rihapjen e çështjes dhe lejimin në parim të ushtrimit të rolit aktiv të familjarëve të viktimave në proces) që përpara se Gjykata e Strasburgut t’i theksonte ato në akt-gjykimin e sotëm.
Gjejmë rastin gjithashtu që të kërkojmë nga qeveria shqiptare që të pranojë këtë akt-gjykim si të drejtë dhe të mos shtyjë më tej procesin në Strasburg me ankime të mëtejshme të panevojshme. Gjykata e Strasburgut foli dhe tashmë të drejtat e theksuara nga ajo duhen përmbushur të plota, pa asnjë vonesë të mëtejshme, në emër të zbardhjes së një tragjedie që shteti shqiptar ua ka borxh shtetasve t’ua ofrojë që prej 15 vjetësh.
Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit.
Pjesë nga vendimi i Strasburgut:
Gjykata vuri në dukje se Prokuroria e Përgjithshme kishte nisur menjëherë një hetim pas shpërthimitqë kishte ndodhur në Gërdec. Tri ekspertiza kishin shërbyer si bazë për aktakuzën dhe ishin përdorur si provë në gjykimin kundër të akuzuarve. Gjykata arriti në përfundimin se hetimi kishte qenë i duhur pasi në përgjithësi kishte arritur të vërtetonte rrethanat dhe faktet relevante dhe kishte identifikuar përgjegjësit. Edhe pse askush nuk ishte dënuar përfundimisht për vrasje, dënimet e tyre kishin të bënin të gjitha me ngjarjen e Gërdecit, me akte të rrezikshme për jetën.
Në lidhje me procedurën penale, Gjykata mori parasysh se rasti nuk kishte të bënte me vrasje me dashje, por nga pakujdesia e rëndë. Ndërsa ishte e vërtetë që disa nga dënimet ishin ulur më pas, në raport me dënimet fillestare që ishin dhënë.
Për shkak se Gjykata e Lartë kishte ndarë padinë civile nga ajo penale, ankuesit (familjarët) nuk kishin pasur asnjë të drejtë procedurale.
Gjykata (Strasburgu) ka përcaktuar se shteti ka detyrime që viktimave t’iu jepet një mundësi për të marrë pjesë në mënyrë efektive në procedimin penal, duke përfshirë në fazën e gjykimit, për të mbrojtur interesat e tyre legjitime. Kjo nuk mund të kompensohet nga mundësia e kërkuesve për të paraqitur një kërkesë civile në një procedurë të veçantë civile, pasi ato procedura nuk do të shqyrtonin përgjegjësinë penale të të akuzuarit.
Më tej, procedura penale kundër F.M. për shpërdorim detyre, është zvarritur dhe vonuar në mënyrë të konsiderueshme, si pasojë e inercisë së organeve të ndjekjes penale, të cilët kanë bërë përpjekje të kota për ta sjellë atë përpara drejtësisë. Kështu, kërkuesit kanë mbetur pa një vendim përfundimtar në lidhje me përgjegjësinë e tij më shumë se 14 vjet pas shpërthimit. Autoritetet kombëtare të akuzës nuk dhanë shpjegime bindëse për dështimin e tyre për të rifilluar hetimin menjëherë pas rizgjedhjes së F.M. si deputet, duke ngritur kështu pikëpyetje serioze në lidhje me vullnetin dhe zellin e tyre për të ndjekur çështjen dhe duke krijuar një potencial për mosndëshkim.
Duke pasur parasysh provat e mbledhura kundër F.M., kërkuesit si dhe publiku i gjerë kishin të drejtë të dinin jo vetëm rrethanat në të cilat humbën jetën personat dhe u lënduan të plagosurit, por edhe rolin e saktë që ish-ministri i Mbrojtjes kishte luajtur në ngjarjen në fjalë. Gjykata arriti në përfundimin se për rrjedhojë kishte pasur shkelje të aspektit procedural të nenit 2 të Konventës.
Për sa i përket ankesës së familjarëve të viktimave se autoritetet shtetërore nuk kishin marrë masat e duhura operacionale dhe të sigurisë, Gjykata shprehet se dëmshpërbimi që ata kanë marrë financiarisht nga shteti, tregon njohjen e dëmit që iu është shkaktuar.
Në dhënien e dëmshpërblimit, Gjykata Administrative konstatoi se autoritetet shtetërore nuk kishin marrë masat e duhura parandaluese për të garantuar respektimin e standardeve minimale të sigurisë në objektin e Gërdecit. Gj.Administrative arriti në përfundimin se aktivitetet e rrezikshme në objekt kishin rezultuar në vdekjen e djalit të dy prej aplikantëve dhe lëndime të të tjerëve. Sipas mendimit të Gjykatës, këto gjetje përbënin një njohje në thelb të përgjegjësisë së shtetit për vdekjen e djalit të Zamira Durdajt dhe Feruzan Durdajt dhe rrezikun për jetën e Sabrije Picarit.
Gjykata konstatoi se, duke mos paraqitur ankesë, këta kërkues kishin pranuar në heshtje se ishin të kënaqur me shumat e dhëna dhe për këtë arsye kishin hequr dorë nga përdorimi i mëtejshëm i mjeteve juridike kombëtare. Për më tepër, dëmi material dhe jopasuror i dhënë nuk kishte qenë më i ulët se ai që Gjykata ka dhënë sipas nenit 41 të Konventës në raste të krahasueshme. Si pasojë, ata nuk mund të pretendonin më se ishin viktima të shkeljes së pretenduar sipas këtij aspekti të nenit 2 të Konventës.
Tragjedia që la pas 26 viktima
Mesditën e 15 marsit të vitit 2008 vendi do të tronditej nga një shpërthim i fuqëishëm në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec. Shpërthim që la pas 26 viktima, mes tyre dhe fëmijë, dhjetëra të plagosur rëndë dhe qindra të lënduar. Për shkak të shpërthimit të fortë 3000 banesa u shkatërruan ndërsa dhjetra banorë vuajnë ende sot pasojat e atij shpërthimi./Zëri.ai