Aktualitet

Vetëm një muaj më parë u konfirmua në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK

Aurel Zarka e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2004 pranë ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

f.t
Vetëm një muaj më parë u konfirmua në detyrë, kush
Aurel Zarka

VLORË-Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka u arrestua sot gjatë aksionit të SPAK në Vlorë, për veprën penale "Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike". Mësohet se dosja për prokurorin e Vlorës, ka nisur pas përgjimeve në aplikacionin SKY ECC, ku Zarka ka qenë përdorues me të paktën 4 kode. Prokuroria e Posaçme ka dyshime se Zarka ka favorizuar personazhe të botës së krimit.

Por kush është Aurel Zarka? 

Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vetëm një muaj më parë, më 28 qershor 2024. Zarka pati një seancë të shkurtër dëgjimore një ditë më herët, gjatë së cilës dha shpjegime të përmbledhura për dy gjetje në kriterin e pasurisë. Për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin Zarka u vlerësua pozitivisht. Po ashtu, nuk u evidentuan probleme dhe për katër denoncime të dorëzuara në KPK nga publiku. Procesi i vetingut për prokurorin Zarka u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.

Aurel Zarka e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2004 pranë ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai u emërua prokuror në vitin 2012 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit të Vlorës, ku së fundmi mbante funksionin e drejtuesit.

Arrestimi i kryeprokurorit

Kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka u arrestua sot me urdhër të SPAK. Bashkë me Zarkën në pranga kanë rënë dhe Eriona Dautaj, ish-oficere e krimeve të rënda, aktualisht studente e Magjistraturës, Astrit Vladi, si dhe avokati Radovan Çela. Operacioni i SPAK është zhvilluar pas zbërthimit të bisedave në Sky ECC, ku Zarka ka qenë përdorues me të paktën 4 kode. Agjentët e BKH-së kanë mësyrë prej disa javësh në ambientet e Prokurorisë së Vlorës, për të konkluduar sot me arrestimet e kryeprokurorit dhe personave të lidhur me të./ZËRI

Poll

MOS HUMB