
LUSHNJË- Një 53-vjeçar i identifikuar me inicialet D.Gj është vënë nën hetim nga Policia këtë të hënë pasi u shfaq në një video duke dhunuar një qen. Siç mund të shihet dhe në pamjet e mëposhte ai kap qenin e tij dhe e zhyt në shatarvan. Përmes një njoftimi për mediat Policia bën me dije se ai do të hetohet në gjendje të lirë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Lushnjë. Në lidhje me një video të postuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një shtetas, duke keqtrajtuar një kafshë shtëpiake (qenin e tij), ju sqarojmë se: Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën dhe shoqërun në Komisariat shtetasin që shfaqet në video. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. Gj., 53 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale "Keqtrajtimi i kafshës", pasi në lagjen "Kongresi", Lushnjë, ky shtetas ka hedhur qenin e tij duke e keqtrajtuar, në shatervanin me ujë. Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.
Ky nuk është rasti i parë ku kafshët bien pre e dhunës barbare nga njerëzit. Rasti i fundit u regjistrua në Tiranë ku një person qëlloi me armë zjarri një mace./Zëri.ai