
DURRËS- Kanë mbërritur në ambientet e Gjykatës 3 fëmijët e Pëllumb Metës, të cilët do të njihen me masën e sigurisë, pasi akuzohen për vrasjen e babait të tyre. E para që ka zbritur nga makina është 19-vjeçarja Hygerta Meta, ndërsa më pas edhe dy vëllezërit e saj.

Teksa qëndrojnë në kafazin e qelqtë, 3 fëmijët shihen duke biseduar mes tyre, ndërsa shfaqen të qetë.

Mësohet se në seancën e sotme nuk ka qenë i pranishëm asnjë prej familjarëve të tyre. Nëna e tre fëmijëve është marrë në mbrojtje nga frika e ndonjë hakmarrje, ndërsa dhe vetë ajo është nën hetim për moskallëzim krimi.

3 fëmijët e viktimës pritet të përballen me akuza të rënda në gjykatë. Në dosjen e policisë që iu dërgua prokurorisë, 25-vjeçari Hysen Meta dyshohet për veprën “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu ndaj tij pritet të ngrihen dhe akuzat “Armëmbajtje pa leje dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”. Sipas policisë ai ka qëlluar babanë e tij me 4 plumba dhe nëse shpallet fajtor rrezikon deri në burgim të përjetshëm sipas nenit 79 pika c të Kodit Penal./ZËRI