SARANDË- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Ksamil, ku 20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes humbi jetën pas një konflikti në ambientet e lokalt “Principote”.
Sipas të dhënave nga hetimi, telefonata e parë në polici është bërë rreth orës 05:15 të mëngjesit nga një Dj që po performonte në lokal. Ai ka njoftuar autoritetet se në ambientet e “Principote” kishte nisur një konflikt mes disa personave dhe se kishte edhe të plagosur.
Nga këqyrja e kamerave të sigurise dhe deshmitë e mbledhura, hetuesit kanë rindërtuar pjesërisht dinamikën e ngjarjes. Dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të një vajze dhe më pas është përshkallëzuar, duke përfshirë disa persona që ndodheshin në lokal.
Sipas hetimeve paraprake, David Gjana ka qenë ndër personat e parë që është përfshirë në konflikt. Më pas përplasja është zhvendosur drejt zonës së plazhit, ku Sokrat Vata dyshohet se ka goditur disa herë me thikë 20-vjeçarin portugez, duke i shkaktuar vdekjen.
Në dëshminë e tij paraprake, Vata ka pretenduar se thika nuk ishte e tij, por se e kishte marrë nga viktima. Ai ka deklaruar gjithashtu se kishte kërkuar që situata të qetësohej.
Ndërkohë, një tjetër element që po hetohet është prania e disa punonjësve të strukturave të sigurisë në ambientet e lokalit.
Sipas tr dhënave të bëra publike, në rolin e truprojave kan qenë Miosid Matushaj, punonjës i Policisë së Kufirit në Gjirokastër, Luciano Seferi, punonjës i burgut të Fierit, Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër, si dhe Kristi Koshi.
Ata janë arrestuar në lidhje me ngjarjen, ndërsa po hetohet edhe fakti se përse nuk është njoftuar policia në kohë dhe nëse ka pasur mundësi për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.
Në hetim është edhe roli i Miosid Matushajt, pasi ai dyshohet se pas ngjarjes ka larguar Sokrat Vatën nga vendi i krimit me automjetin e tij dhe e ka dërguar në qendër të Ksamilit. Atje sipas hetimeve, Vata është dorëzuar dy shtetasve turq, të cilët dyshohet se do ta transportonin drejt Tiranës. Matushaj më pas është kthyer ne vendngjarje.
Në kërkim është shpallur edhe pronari i lokalit “Principote”, Bekim Bulica. I cili sipas hetimeve, ai dyshohet se ka qenë i pranishëm në momentet pas konfliktit, por është larguar pa njoftuar autoritetet për ngjarjen .
Në konflikt dyshohet se janë përfshirë edhe disa kamarierë të lokalit, mes tyre Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Murat Zhabina dhe Ildi Cekani. Ata janë arrestuar nën dyshimin se kanë goditur me grushte 20 vjeçarin dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes pa kallëzuar krimin.
Pas largimit të tij nga vendi i ngjarjes, policia ka nisur kërkimet për Sokrat Vatën. Dyshimet e para ishin se ai mund të ishte larguar drejt Tiranës.
Gjatë kontrolleve të kryera në automjete, policia ka ndaluar një makinë që drejtohej nga Ezgi Perlak, 31 vjeçe, ndërsa pasagjer ishte Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç, të dy shtetas turq.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur Vatën të fshehur në bagazh, poshtë një valixheje. Të tre personat janë arrestuar, ndërsa dy shtetasit turq dyshohen për përkrahje të autorit të krimit.
Sipas deklarimeve të tyre, ata e njihnin Vatën dhe e kishin frekuentuar prej kohësh lokalin “Principote”. Ata kanë pretenduar se nuk kishin dijeni për vrasjen e 20-vjeçarit, por hetuesit kanë ngritur dyshime mbi versionin e tyre, për shkak se Vata ishte fshehur në bagazhin e automjetit.
Policia ka njoftuar arrestimin e 11 personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve në lidhje me ngjarjen. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht konfliktin e ndodhur./ZËRI