BELGJIKË-Mosha e re dhe mungesa e precedentëve penalë në Belgjikë e kanë shpëtuar nga burgimi i përjetshëm për vrasjen e Ardit Spahiut, Franc Gergely Çopjan, i cili në Shqipëri akuzohet për drejtim të një organizate kriminale bashkë me vëllain.
Prokuroria kishte kërkuar dënim të përjetshëm për Çopjan, por Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel vendosi për 33-vjeçarin dënimin me 25 vite burg. Çopja u dënua si personi që organizoi dhe porositi vrasjen nga Dubai, ndërsa në argumentim gjyqtarët e theksuan mungesën e pendimit të autorit të krimit, vendosmërinë e tij dhe "gëzimin e dukshëm të shprehur për njoftimin e vdekjes së Ardit Spahiut".
Nga ana tjetër burgimit të përjetshëm nuk i shpëtoi porositësi tjetër i vrasjes Mikael Qosja, për të cilin Gjykata e Krimeve të Rënda të Brukselit nuk gjeti rrethana lehtësuese në rastin e tij. Burg përjetë iu dha gjithashtu edhe ekzekutorit Flobenc Meçja.
Në rolin e bashkëpunëtorëve dhe pjesëtarë të grupit kriminal në vrasjen e Ardit Spahiut u dënuan gjithashtu edhe Elton Roçi me 20 vjet burgim, Elvis Murataj me 8 vjet burgim, ndërsa Eljo Bitri u dënua me vetëm 5 vite bnurg për shkak se ka bashkëpunuar me autoritetet gjyqësore që nga 23 nëntori 2023 dhe që atëherë ka përfituar nga statusi i dëshmitarit të mbrojtur.
Ardit Spahiu u qëllua me armë zjarri në një atentat më 27 nëntor 2020, ndërsa ndodhej si pasagjer në një automjet. Ai arriti të largohej fillimisht, por u ndoq në këmbë nga dy persona të maskuar, të cilët e ekzekutuan. Hetimi për vrasjen e Spahiut mori hov pas dekriptimit të platformës SKY ECC. Në fund u identifikuan nëntë të dyshuar, përfshirë Franc Gergelyn, figurë kyçe e klanit Çopja. Sipas policisë federale, ai dhe vëllezërit e tij vepronin nga Dubai dhe merreshin me trafik kokaine mes Amerikës së Jugut dhe Evropës.
Pas vjedhjes së 49 kilogramëve kokainë nga një apartament i klanit Çopja në Londër, dhuna mes dy grupeve kriminale u përshkallëzua. Dosja është e mbushur me vrasje me pagesë të kryera nga të dyja palët. Vrasja e Ardit Spahiut, i cili në vitin 2019 u arratis në Belgjikë nga frika për jetën e tij, konsiderohet si një vazhdim i konfliktit mes këtyre dy klaneve./ZËRI