TIRANE- Një vlonjat mendohet se ka qenë ekzekutori i biznesmenit italian Edoardo Sarchi. Ky të paktën është varianti më i afërt i Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Gjirokastrës 36 orë pas vrasjes së biznesmenit 44-vjeçar. Burime për ZËRI bëjnë me dije se i dyshuari është identifikuar nga Policia dhe është duke u lokalizuar nga Policia.
Më herët, sot, u liruan pas shoqërimit edhe Eqerem Braçi dhe dy djemtë e tij, Gazment dhe Daniel. Në dëshminë e tyre në Polici, ata kanë thënë se janë qëlluar me armë zjarri nga ky person i panjohur, në Dilan, një vend mes fshatrave Nivicë dhe Salari, atje ku u gjet edhe trupi i Sarchit. E njëjta dëshmi është dhënë edhe nga bariu Armir Hitoveizi, i cili është shoqëruar sot për të dhënë dëshminë pasi ka një stan bagëtish 200 metra larg vendit të ngjarjes.
Sipas bariut, Sarchi shoqërohej me Braçët në dy makina fuoristrada, Land Rover dhe Volksëagen. Sipas të 4-ëve, Sarchi ishte brenda Landroverit me një nga djemtë e Braçit.
Ata kanë thënë se kanë dëgjuar 3 të shtëna dhe kanë ndaluar makinën Land Rover. 15 metra larg mjetit ka dalë një person i panjohur, i cili nuk ka folur asnjë fjalë por ka qëlluar drejt gomave. Plumbi i parë ka bërë që të çahet goma dhe me plumbin e dytë është plagosur nga një plumb rikoshetë italiani, në zonën e femurit te këmba e majtë.
Ndërkohë që një tjetër pistë që qarkullon është se autori është bezdisur nga dritat e makinave dhe se fillimisht ka patur një debat e më pas është përdorur arma e zjarrit. Dyshime ka se edhe familja Braçi ishte e pajisur me armë zjarri.
Kjo vrasje ka tronditur Italinë dhe vëmendja e të gjitha mediave përtej Adriatikut përfshirë edhe Ambasadën italiane në Shqipëri është për zbardhjen e vrasjes. Megjithë pyetjen e personave të shoqëruar, ka ende pika që nuk i bindin hetuesit të cilët janë rikthyer sot në vendngjarje për të gjetur gëzhoja dhe për të bërë disa matje për të parë nëse përputhen dëshminë me skenën e krimit./ZËRI