
FIER- Policia e Fierit ka vënë në pranga Sadri Selacin, 31-vjeç, i cili ka qenë në kërkim për vrasjen e Florian Selimit, e ndodhur në vitin 2019. Ndaj tij, Gjykata e Fierit ka dhënë një dënim me 19 vite burg, ndërkohë që autori tjetër është aktualisht duke vuajtur dënimin në burgun e Fierit.
Kiri Mernica është dënuar po ashtu me 19 vite burg, për akuzën e vrasjes në bashkëpunim. Florian Selimi u gjet i vrarë në fshatin Sulaj të Fierit në 11 Gusht të vitit 2019. Ai ishte goditur me thikë dhe trupi i tij ishte hedhur në një kanal.
NJOFTIMI I POLICISË:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Sharp”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për vrasje.
I dënuar me 19 vjet burgim, për një vrasje me mjet prerës (thikë), të kryer në vitin 2019, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.
Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar "Sundimi i ligjit", shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Sharp”, si rezultat i të cilit u kap shtetasi i shpallur në kërkim Sadri Selaci, 31 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datës 06.07.2023, e ka dënuar këtë shtetas, me 19 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje", kryer në bashkëpunim.
Më datë 11.08.2019, në vendin e quajtur "Ura e Zharrës", ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin K. M. (aktualisht vuan dënimin në IEVP), ka vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin F. S.
/ZËRI