TIRANË- Vrasja e Hekuran Billës do të rihapet sërish për shqyrtim, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka vendosur pak ditë më parë kthimin e çështjes për rigjykim.
Vendimi vjen pas një ankese të Prokurorisë, ndërsa më herët Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte vendosur pushimin e akuzave për mungesë provash ndaj Viktor Markut dhe nipit të tij, Sebastian Mali, të cilët akuzoheshin për përfshirje në vrasjen e 40-vjeçarit, ngjarje e dyshuar me motiv gjakmarrjeje.
Gjykata e Apelit e ka rrëzuar këtë vendim, duke konstatuar shkelje procedurale dhe duke urdhëruar që dosja të shqyrtohet nga e para nga një trupë tjetër gjykuese në Gjykatën e Tiranës.
Viktor Marku nuk është i panjohur për uniformat blu. Ai u arrestua bashkë me nipin e tij, Santiago Mali për vrasjen e Hekuran Billës, i cili u ekzekutua me silenciator në zonën “Komuna e Parisit”, pranë qendrës ‘Kristal’. Edhe pse dyshohej se ishte vrasësi, ai u lirua për mungesë provash nga Gjykata e Tiranës. Vrasja ndodhi pasi në vitin 2006 Billa kishte ekzekutuar me armë zjarri 22-vjeçarin Prel Marku, ngjarje për të cilën ishte dënuar me burg të përjetshëm, por u lirua nga gjykatat shqiptare./ZËRI